“S’kemi forcë në sulm”, Josa: Të lirohemi psikologjikisht, Kastrioti ka karakter

schedule11:58 - 9 Prill, 2021

schedule 11:58 - 9 Prill, 2021

Kastrioti është kundërshtari i radhës për Kukësin. Ekipi verlindor po kalon një krizë, ka marrë vetëm 3 pikë në 7 ndeshjet e fundit në kampionat dhe rrezikon “play-out”. Kukësi i ka humbur të dy takimet e këtij sezoni ndaj Kastriotit.

Trajneri Mirel Josa foli për mediat rreth sfidës së do të luhet nesër në Kamzë (13:00), duke vlerësuar ekipin kundërshtar, teksa fton skuadrën e tij të reagojë dhe të rikthehet te rezultatet pozitive.

Kemi pasur shumë humbje gjatë rrugës, qoftë sa i përket prestigjit të skuadrës qoftë sa i përket edhe klasifikimit. Mendimi im është se duhet t’i shohim ndeshjet me kë luajmë dhe kë kemi përballë.

 

Kemi përballë një skuadër që ka fituar dy herë kundër nesh. Kastrioti është një skuadër shumë e fortë, ka karakter, e ka treguar edhe në ndeshjet e tjera, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm sa i përket mbarëvajtjes së ndeshjes.

Ku po çalon Kukësi? Ne duhet të lirohemi psikologjikisht sa i përket mënyrës se si skuadra del deri në zonën e rreptësisë së kundërshtarit. Aty nuk kemi forcën e duhur për të goditur kundërshtarin. U duk edhe ndaj Skënderbeut, në pjesën e parë skuadra kishte 5 raste për të kaluar në avantazh.

Në futboll nuk ka nëqoftëse, në futboll duhet të jesh shumë efikas në mënyrë që edhe loja të marrë rrjedhojë pozitive për ty“, theksoi trajneri i Kukësit. /abcnews.al