Skema e ndihmës ekonomike, debatet e deputetëve në Parlament

schedule17:36 - 15 Mars, 2018

schedule 17:36 - 15 Mars, 2018

Mazhoranca dhe opozita kanë kundërshtuar deklaratat e njëri tjetrit në Mocionin me debat për heqjen e mbi 20 mijë familjeve nga skema e ndihmës ekonomike. Ndjekim disa nga deklaratat që janë bërë deri tani.

Grida Duma: “Pikavarazhi që ju kërkojmë është qëllimi i keq i përdorimit të kësaj skeme tani. Po, filloi në 2012, por tre herë radhazi ju e shtytë VKM-në, që mos t’i niste efektet në vitin elektoral 2017, po t’i nisnit pasi të kishit marrë pushtetin në mënyrë që sapo të vini te zgjedhjet elektorale, përsëri ju me fshehjen e kritereve, t’i çoni te kompjuterat e fshehur me të cilën talleni, “e ka sistemi” dhe më pas mund t’i fusim në skemë dhe 10.000 dhe hajde voto këtu. Njësoj si bëtë për legalizimet, njësoj si bëtë për tapitë dhe për çdo gjë tjetër”.

Ogerta Manastirliu: “Banka Botërore nuk ka thënë kurrë, siç u tha këtu, që 70 përqind e atyre që meritojnë ndihmën ekonomike janë të përjashtuar. Ku e gjetët ju këtë? Banka Botërore ka reaguar në një deklaratë të datës 6 Mars, ku flet për të pavërtetat mediatike mbi ndihmën ekonomike. Sidoqoftë koha e ka treguar edhe siç e ka treguar koha, kush i bën njerëzit për budallenj e paguan kur njerëzit votojnë”.

Albana Vokshi:Askush nuk është kundër pastrimit të skemës, por jemi kundër abuzimit të skemës ekonomike sa herë që vijnë zgjedhjet. Po hiqni 30.000 familje që t’i përdorni si kontigjent për zgjedhjet e ardhshme lokale”.

Dashamir Shehi: “Këta vejnë hartën e Shqipërisë për të ngrënë ndonjë copë Shqipërie për natë. Prandaj ka fukarallëk sot”.

Pandeli Majko: “Unë nuk e kuptoj thelbin e diskutimit tuaj të nderuar kolegë, arsyen se përse doni të ndryshojë ky sistem që ka funksionuar fillimisht në trekëndëshin Durrës, Elbasan, Tiranë dhe nuk kemi folur. Dhe çfarë doni të ndryshoni në këtë sistem, të cilin me letra e keni krijuar ju”.

Arben Ahmetaj: “Këtë e bëni vetëm për arsye politike. Situata e opozitës është e zezë. Nuk ka kauz. Vjen këtu dhe po të dëgjoni kryetarin e opozitës që është monumenti i paaftësisë dhe korrupsionit që në CV-në e tij ka gërhitje, 21 Janarin. Besoj se e mbani mend se si kapiten i parë i gardës doli në majën e çatisë, kryetari i opozitës”.

Blendi Klosi: “Edhe folët shpesh që ku është kryeministri, ku është qeveria, ndërkohë që lidershipi i PD-s e ka braktisur sallën që në mëngjes. Ka lënë këtu kolegët deputetë që presin radhën për të folur, por që serioziteti i tyre dhe pasqyrimi i atyre problematikave e që paraqesin atë debat me të varfrit nuk janë sot në sallë”.

Oriola Pampuri: “Edhe një thirrje tjetër do t’i bëja të gjithë qytetarëve që janë përjashtuar nga ndihma e skemës ekonomike. Ata 30 mijë sepse nuk janë njëzet. Vetë e pohuat ndoshta pa e ditur që janë 30 mijë. Ndoshta janë më shumë. Do të doja të vinin këtu, ne do jemi deri në darkë te dera e parlamentit. Këtu nuk ka shumë deputetë të majtë, shumë deputetë të mazhorancës dhe a e dini përse? Sepse këtu punësimet i bën vetë kryeministri. Kështu që, kë ka takuar kryeministrin e ka punësuar, i ka dhënë medikamentin. Unë do doja të ftoja të gjithë ata që nuk i ka punësuar ende kryeministri. Të vijnë te dera, ta takojnë dhe të punësohen”./abcnews.al