Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, i ka dërguar presidentit të vendit kërkesë për shpërndarjen e Kuvendit, një procedurë që i paraprin shpalljes së zgjedhjeve parlamentare.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, presidenti mund ta shpërndajë Kuvendin me propozim të arsyetuar të Qeverisë.
Në të njëjtën kohë me shpërndarjen e Kuvendit, presidenti i vendit shpall zgjedhjet parlamentare, të cilat duhet të përfundojnë jo më vonë se 60 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Kuvendi i shpërndarë mund të kryejë vetëm punë të rregullta ose të ngutshme, të përcaktuara me ligj.
Zgjedhjet parlamentare ishin paralajmëruar më herët nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili kishte thënë se ato do të mbaheshin më 18 ose 25 tetor.
Zgjedhje të parakohshme kërkojnë që nga maji i vitit 2025 studentët që mbajnë të bllokuara fakultetet dhe që për muaj me radhë kanë udhëhequr protesta kundër Qeverisë.
Në këto protesta është kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 njerëzve në një incident në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit 2024.
Përfaqësuesit e pushtetit kanë paralajmëruar disa herë shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa presidenti Vuçiç ka deklaruar gjithashtu se do të tërhiqet nga posti i presidentit para përfundimit të mandatit të tij në prill të vitit 2027.

