Shqipëria pjesë e projektit 5 milionë euro për promovimin e turizmit në Ballkan

schedule10:56 - 1 Korrik, 2018

schedule 10:56 - 1 Korrik, 2018

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal shënoi fillimin e një projekti 3-vjeçar kushtuar zhvillimit dhe promovimit të turizmit në Ballkanin Perëndimor. Gjatë prezantimit të këtij projekti në Sarajeve Shqipëria u konsiderua si hallkë e rëndësishme në promovimin e një oferte të përbashkët rajonale, konkurruese në tregun ndërkombëtar.

Zhvillimi dhe promovimi i turizmit në Ballkanin Perëndimor, përfshi Shqipërinë, është thelbi i një projekti me vlerë 5 milionë euro të financuar nga Bashkimi Europian që do të zbatohet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Fillimi i projektit u zyrtarizua gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Sarajevë, Bosnje Hercegovinë.

Për Goran Svilanoviç, Sekretar i Përgjithshëm i këtij Këshilli “Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë bërë prioritet të tyre të shfrytëzojnë turizmin si një sektor premtues për rritjen ekonomike”.

Shfaqja e spotit promoues për atraksionet natyrore e kulturore shqiptare, i njëjti i shfaqur në BBC, Euroneës dhe Travel Channel vitin e kaluar, ngjalli jo pak interes tek të pranishmit.

Drejtori i Marketingut dhe Promocionit në Agjencinë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri shpjegoi rritjen të ndjeshëm të turistëve në Shqipëri gjatë viteve të fundit me një strategji të re, në bazat e të cilës, sipas tij, qëndron pastërtia, mikpritja dhe siguria.

Në tre vitet e ardhshme projekti i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal

do të japë deri në 30 grante të vogla me vlerë rreth 50.000 euro secila, me qëllim të rritjes së infrastrukturës rreth aventurave dhe rrugëve të turizmit kulturor.

Aktivitetet e projektit do të zbatohen në bashkëpunim me qeveritë dhe sektorët privatë dhe joqeveritarë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të tërhequr më shumë turistë, për të zgjatur qëndrimin e tyre në rajon dhe për të rritur të ardhurat dhe punësimin në industri.