Shqipëria me nënkampion bote, boksieri Maca humbet finalen

schedule12:57 - 4 Dhjetor, 2023

schedule 12:57 - 4 Dhjetor, 2023

Ndodh që edhe kur humb ndihesh si fitues.

I tillë Adam Maca, boksieri i ri shqiptar i cili kthehet me medalje argjendi nga Kampionati Botëror U17.

Luftëtari kuqezi, që ka garuar më parë për Anglinë, shkëlqeu në peshën deri 57 kg, ndërsa në finalen e madhe u mund me pikë nga favoriti rus Platon Kozlov.

Maca arriti tri fitore radhazi, pasi kaloi raundin e parë me short, ndërsa rusi u tregua superior në sfidën për të artën. Maca luftoi fort, veçse Kozlov tregoi se është pasardhës i vërtetë i yjeve të boksit rus si Dmitri Bivol.

Me reflekse të shpejta dhe lëvizje të shkëlqyera të këmbëve, ai fitoi dy raundet e para, ndërsa shqiptari ishte tepër i fortë në raundin e tretë dhe të fundit. Jo më kot Kozlov ka fituar dy herë medalje të arta europiane.

Maca, kampion i Europës, kampion i Anglisë dhe dy herë kampion i Shqipërisë, e tregoi veten në Botërorin e zhvilluar në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan./ h.ll/abcnews.al