TIRANË– Greqia nuk ka asnjë arsye të pengojë rrugëtimin e një fqinji si Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit në familjen evropiane. Kështu u shpreh analisti Martin Leka, nga studioja e “News Line” në ABC News.
Ai theksoi se ka përparime në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa disa probleme mbeten, por nuk kanë bazë pse të bëhen pengesë për Shqipërinë drejt BE.
“Problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë ende mbeten. Greqia nuk do ta pengojë fatin evropian të Shqipërisë. Greqia nuk ka pse të bëhet delja e zezë për të bllokuar Shqipërinë. Ligji i luftës është një apendiks, i cili duhet hequr”, tha ai.
Më herët, ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle reagoi përmes një statusi në rrjetin social X, pas takimit të zhvilluar me kryeministrin Edi Rama, ku njoftoi arritjen e një marrëveshjeje prej 6 miliardë dollarë në energji mes Shqipërisë dhe SHBA.
“Isha e nderuar të udhëtoja në Tiranë për të avancuar agjendën energjetike të Presidentit të SHBA dhe për t’iu bashkuar Kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike midis Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG USA për një marrëveshje 20-vjeçare për LNG-në amerikane”, shkroi diplomatja.
Arritja e kësaj marrëveshjeje u shpreh Leka është pozitive për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“E para është marrëveshja më e madhe që është bërë deri më sot, është një lajm i gëzuar, sepse në fund këto investime zhvillohen në Shqipëri. Lajm i mirë për mazhorancën”, theksoi ai./abcnews.al



