Shkodër, Ana e Malit vazhdon të jetë nën ujë

schedule12:28 - 7 Mars, 2018

schedule 12:28 - 7 Mars, 2018

Njësia Administrative Ana e Malit në Qarkun e Shkodrës vazhdon të jetë nën ujë si pasojë e përmbytjeve.

Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, që po ndjek situatën në terren, në fshatin Obot rreth 60% e banesave kanë prezencë uji në oborret e tyre, kurse mbi rrugën e Obotit ka rreth 40 cm ujë, dhe ajo është e kalueshme vetëm për mjetet e larta.

Ministria  e Mbrojtjes raporton se në  Njësinë Administrative Ana e Malit, janë përmbytur rreth 500-600 ha tokë. Ka sipërfaqe të tokës së përmbytur, sidomos tokë bujqësore në bashkinë  Shkodër, kryesisht në Njësitë Administrative Bushat, Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana Malit, Guri Zi, Madhe.

Po ashtu bëhet e ditur se në Fshatin Obot dhe Muriqan të Nësisë Administrative Ana Malit janë të izoluar 35 fermerë me fermat e tyre blegtorale, ku përfshihen rreth 100 krerë gjedh, 100 krerë derra dhe 300 të imta.

Sipas të dhënave të Bashkisë së Shkodrës dhe Ministrisë se Mbrojtjes, aktualisht janë 3 makina ushtrie, 3 varka me motor dhe 20 ushtarë që po qëndrojnë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë banorëve të fshatit Obot. Edhe në Njësinë Administrative Dajç, është rritur niveli i ujit dhe për rrjedhojë ka shtim të sipërfaqes së përmbytur.

Rruga Darragjat- Shirq është e bllokuar nga rritja e nivelit të ujit dhe ne te mund të kalohet vetëm me mjete të larta. Ndërsa në afërsi të malit të Vukatanës, Njësia Administrative Guri i Zi, konstatohet një gërryerje e madhe e tokës bujqësore. Që nga darka e kaluar, janë gërryer afërsisht 3 ha tokë, rreth 800 metër linear gjatësi.

Dje kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ndërsa prefekti Çesk Millja tha mbrëmë gjatë mbledhjes së shtabit të emergjencave në Shkodër se situata është në monitorim dhe plotësisht nën kontroll./abcnews.al