Partia Socialiste e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez po pret me kujdes rezultatet e zgjedhjeve, pasi pjesëmarrja e lartë në votime e ka bërë të vështirë parashikimin e rezultatit.
Burime nga drejtuesit e partisë i thanë gazetës “El Pais” se pjesëmarrja prej 68% deri në orën 18:00 ka krijuar një situatë të paparashikuar, duke vënë në pikëpyetje sondazhet paraprake.
“Një pjesëmarrje kaq e lartë përmbys çdo sondazh. Jemi në një situatë që askush nuk e kishte parashikuar”, deklaruan përfaqësuesit socialistë, duke shmangur parashikimet për partinë që do të marrë drejtimin e qeverisë.
Ndërkohë, në selinë e socialistëve në Madrid janë akredituar rreth 300 gazetarë dhe përfaqësues të 20 mediave ndërkombëtare, në pritje të rezultateve.
Partia Popullore (PP) vijon të thellojë epërsinë ndaj socialistëve të kryeministrit Pedro Sánchez, teksa numërimi i votave në zgjedhjet në Spanjë ka arritur në 14.88%.
Sipas rezultateve paraprake, PP ka siguruar 130 vende në parlament, ndërsa Partia Socialiste (PSOE) renditet e dyta me 112 vende.
Në vendin e tretë pozicionohet partia e ekstremit të djathtë Vox, me 46 vende. Së bashku, PP dhe Vox arrijnë në 176 mandate, numri i nevojshëm për të siguruar shumicën absolute në parlamentin spanjoll duke shkuar kështu drejt një qeverie ku ekstremi i djathtë është i përfshirë për të parën herë që nga viti 1975.
Ndërkohë, partitë e tjera kanë marrë deri më tani këto rezultate: Fronti i Gjerë (Frente Amplio) me 11 vende, ERC me 10, EH Bildu me 7 dhe Junts me 5 vende.
Shpërndarja e mandateve me 14.88% të votave të numëruara:
- Partia Popullore (PP): 130 vende
- Partia Socialiste (PSOE): 112 vende
- Vox: 46 vende
- Fronti i Gjerë (Frente Amplio): 11 vende
- ERC: 10 vende
- EH Bildu: 7 vende
- Junts: 5 vende


