Shkëmbi: Objektiv kemi 4 vendet e para, skuadra ka burra dhe lojtarë të fortë

schedule13:14 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 13:14 - 6 Dhjetor, 2021

Dinamo e Bledi Shkëmbit do të përballet në “Elbasan Arena” me Teutën, një sfidë mes të barabartësh duke marrë parasysh edhe pozicionet e skuadrave në tabelën e renditjes, ku vetëm 1 pikë i ndaj nga njëra-tjetra.

Në konferencën për shtyp ishte i pranishëm, trajneri Bledi Shkëmbi, i cili ka folur për përballjen e ditës së nesërme me kampionët aktual.

“Ishte një rezultat i thellë, një ndeshje e turpshme. Nuk ishte problem i mbrojtjes, por i gjithë skuadrës. Kemi pak kohë të përgatitemi, pasi luajmë nesër me Teutën. Kemi folur me skuadrën. Jemi munduar të marrim përgjegjësitë, por edhe të kuptojmë çfarë na ndodhi me Laçin. Nesër do të jetë një ndeshje me fytyrë tjetër”.

“Golat e munguar? Më shumë më shqetësojnë këto humbjet në kampionat me rezultat të thellë. Vjet Teuta doli kampion duke shënuar shumë pak. Nuk do të thotë gjë. Duhet të gjejmë ekuilibrat e skuadrës dhe të mos përsëriten më ndeshje shumë të dobëta”.

“Kemi pasur pak kohë, por pas një humbje të tillë më mirë të luash shpejt nëse ke karakter për ta kthyer situatën. Ne e kemi parë me këtë sy, që të luftojmë për tre pikët dhe të harrojmë sa më shpejt atë që ndodhi në Laç”.

“I kemi vuajtur mungesat, alternativat. Kemi disa rikthime, jo në maksimumin e tyre. Sidoqoftë janë rikthime të rëndësishme, që besoj se gjatë lojës mund të na ndihmojnë shumë”.

“Humbje me Laçin nuk tregon se nuk kemi burra në skuadër, i ndodh shumë skuadrave në botë. Humbja me Tiranën dhe kjo duket sikur ka mungesë karakteri. Treguam që duhet të kishim më shumë karakter në situata të veçanta, të mos linim që ndeshja të rrëshqiste në atë drejtim”.

“Skuadra ka burra dhe lojtarë të fortë. Të fortë janë ata që rikthehen pas momenteve të vështira. Nuk kemi bërë asnjëherë dy ndeshje të dobëta radhazi. Ta fshijmë ndeshjen me Laçin dhe të fitojmë me Teutën”.

“Ne vazhdojmë të synojmë, të kemi objektiv 4 vendet e para. Vendi i tretë nuk është larg. Edhe Tirana që është e para, si dhe Kukësi, ndodh që të ketë ulje e ngritje. E rëndësishme është ajo që bëjmë ne vetë”.

“Nuk e prisja kaq shpejt të përballesha me Arapin. I urova suksese që kur u bë trajner. Më vjen mirë që shumë shokë të mi janë bërë trajnerë apo drejtojë”.

“Është e drejtë që tifozët të reagojnë. Edhe unë kam kërkuar falje për ta dhe klubin. Ishte një ndeshje e turpshme ajo që ndodhi në Laç. Që të jesh mirë me tifozët duhet të kesh rezultate, ndryshe nuk të duan”, ka deklaruar Shkëmbi.   /f.a/abcnews.al