Shefi i UNMIK-ut thirrje Kosovës dhe Serbisë për dialog konstruktiv

schedule21:38 - 21 Tetor, 2020

schedule 21:38 - 21 Tetor, 2020

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, ka përshëndetur vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel dhe u ka bërë thirrje të dyja palëve që me bisedime konstruktive të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura.

Në një sesion përmes videos të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në të cilën është diskutuar raporti i ri gjashtëmujor për punën e UNMIK-ut, Tanin ka theksuar që takimet e përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë në Uashington kanë treguar potencialin për përparim “në zgjidhjen e mëtejshme të çështjeve të rënda”.

“Kushtet më të rëndësishme që duhet të plotësohen, në mënyrë që bisedimet të kenë sukses, janë uniteti politik, përkushtimi i fuqishëm dhe vullneti i mirë, në Prishtinë dhe në Beograd, si dhe ekzistimi i përkrahjes ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Tanin.

Ai ka theksuar që publikimi i propozimit të aktakuzës së Dhomave të Specializuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është përcjellë në Kosovë me akuza që puna e kësaj Gjykate është “politikisht e motivuar”.

“Reagimet e caktuara në opinionin e Kosovës kanë qenë brengosëse, përfshirë edhe përpjekjet që të vihet në pikëpyetje legjitimiteti i Dhomave të Specializuara, si dhe pretendimet që puna e tyre është politikisht e motivuar. Fatkeqësisht liderë politikë të caktuar nuk kanë ndihmuar gjithmonë që këto deklarata të rreme të korrigjohen ”, ka thënë shefi i UNMIK-ut.

Tanin ka theksuar që Dhomat e specializuara janë pjesë integrale e gjyqësorit në Kosovë dhe faktor i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

Shefi i UNMIK-ut ka theksuar që Kosova, në shtatë apo tetë muajt e kaluar, është ballafaquar me një numër sfidash, duke nisur që nga kriza e nxitur nga pandemia e koronavirusit. Ai shtoi që Kosova “nuk është lënë vetëm” në luftën kundër pandemisë./REL