Protestat më shumë se 90-ditore kundër policisë dhe racizmit në qytetin amerikan të Portland kanë shkaktuar skena të reja krimi me pasoja fatale për jetën.
Policia lokale njoftoi se një person mbeti i vrarë me armë zjarri në kraharor gjatë një demonstrate në mbështetje të presidentit Donald Trump.
Personi mendohet se u sulmua nga pjesëtarë të një lëvizjeje të majtë e njohur si lëvizja antifashiste, e cila si kauzë kryesore ka luftën kundër autoritarizmit qeveritar dhe ekstremizmit të djathtë.
Ndërsa autori ende nuk është identifikuar, pas ngjarjes pjesëtarë të grupit antifashist u shprehën se nuk ndjenin keqardhje për viktimën. Vrasja e fundit ka kulmuar një javë me incidente vdekjeprurëse në vazhdën e protestave amerikane që nisën të hënën me plagosjen e një afro-amerikani nga policia dhe vazhduan të martën me ekzekutimin e dy protestuesve nga një 17-vjeçar.
Trazirat disamujore nuk kanë ndaluar që nga vrasja e afro-amerikanit George Floyd në muajin maj dhe madje janë bërë edhe temë politike në prag të zgjedhjeve presidenciale./abcnews.al


