SHBA-ja i kërkon Izraelit të jetë më i kujdesshëm gjatë ofensivës në jug të Gazës

schedule19:55 - 28 Nëntor, 2023

schedule 19:55 - 28 Nëntor, 2023

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Izraelit të jetë më i kujdesshëm për t’i mbrojtur civilët dhe për ta kufizuar dëmtimin e infrastrukturës gjatë ndonjë ofensive të mundshme në jug të Rripit të Gazës, thanë zyrtarët e lartë amerikanë të martën.

Ky ndryshim në politikat e administratës Biden vjen pas kritikave të fuqishme nga brenda dhe jashtë vendit, shkruan REL.

Një muaj më parë, Shtëpia e Bardhë pati thënë se nuk i kishte vënë “vija të kuqe” Izraelit për mënyrën se si do t’i përgjigjej Hamasit – grupit radikal palestinez të cilin ajo bashkë me BE-në e ka shpallur organizatë terroriste – pas sulmit të 7 tetorit që luftëtarët e tij e kryen në Izrael, duke i vrarë mbi 1.200 njerëz dhe rrëmbyer 240 të tjerë.

Ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit në Gazë ka qenë shkatërruese, duke i lënë mbi 15.000 palestinezë të vrarë, dhe duke i detyruar mijëra të tjerë të zhvendosen në jug të vendit, ku janë përballur me mungesë thelbësore të ushqimit, rrymës dhe ujit.

Derisa Izraeli ka filluar të mendojë për vazhdimin e luftës kundër Hamasit edhe në jug të Gazës pasi të ketë përfunduar armëpushimi, zyrtarët amerikanë thanë se janë duke biseduar me Izraelin për ta këshilluar të jetë më i kujdesshëm në jug, ku tani ndodhen rreth 2 milionë njerëz.