Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

SHBA-ja është shumë më e fortë se Rusia, dhe duhet të sillet si e tillë

schedule11:35 - 29 Korrik, 2022

schedule 11:35 - 29 Korrik, 2022

Nga Max Boot “Washington Post

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Lufta në Ukrainë ka hyrë tashmë në fazën e saj të tretë. Faza e parë, që nisi më 24 shkurt, ishte përpjekja emergjente e Rusisë për të pushtuar Kievin. Ajo dështoi për shkak të logjistikës së tmerrshme ruse (e mbani mend autokolonën 64 km të gjatë?) dhe një mbrojtje ukrainase të aftë, që përdori me efikasitet armët e dorës raketahedhësit “Stingers” dhe “Javelin” të dërguara nga Perëndimi.



Faza e dytë nisi në mesin e muajit prillit, kur diktatori rus Vladimir Putin i përqendroi forcat e tij në provincën Luhansk në rajonin lindor të Donbasit. Kjo fazë, e karakterizuar nga bombardimet e pamëshirshme të artilerisë ruse, përfundoi në fillim të këtij muaji me tërheqjen e forcave ukrainase nga Luhansk.

Në fazën e tretë të luftës, trupat ukrainase po qëndrojnë në një pozicion të fortë mbrojtës në provincën fqinje Donetsk (gjithashtu pjesë e Donbasit), dhe po kundërpërgjigjen në mënyrë efektive me sisteme raketash të lëvizshmërisë së lartë dhe me armë të tjera me rreze më të gjatë të dërguara sërish nga Perëndimi.

Sidomos lëshuesi i shumëfishtë amerikan HIMARS, ka ndryshuar gjithçka në fushën e betejës duke i dhënë mundësi ukrainasve të shkatërrojnë më shumë se 100 objektiva me vlerë të lartë si depot ruse të municioneve dhe shtabet komanduese.

Një komandant i një batalioni ukrainas tha për gazetën se që nga fillimi i sulmeve me HIMARS, granatimet ruse kanë qenë të paktën 10 herë më më pakta në numër. Një tjetër oficer ukrainas deklaroi për “Wall Street Journal”: “Kështu ishte si një Ferr. Tani është si Parajsë. Shumë qetë. Gjithçka ndryshoi kur morëm HIMARS”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, thotë se numri i të vrarëve nga ushtria ukrainase ka rënë nga 100 deri në 200 në vetëm 30 në ditë. Në rast se Ukraina është në gjendje të luftojë në një mënyrë kaq shumë efektive vetëm me 12 HIMARS (së shpejti do të bëhen 16), imagjinoni se çfarë mund të bëjë me dhjetëra të tjerë.

Dhe akoma akoma më mirë, Sistemet Raketore Taktike të Ushtrisë (ATACMS), të cilat përdorin të njëjtën platformë, por që kanë një rreze gati 4 herë më të madhe. Këto sisteme raketash duhet të plotësohen me tanke dhe avionë luftarakë perëndimorë.

Nëse Perëndimi do t`i dërgojë të gjitha këto armë, Ukraina mund të ndërmarrë një kundërofensivë për të rimarrë territoret e humbura në jug dhe lindje, dhe për të ndihmuar në dhënien fund të kësaj lufte.

Administrata e presidentit Joe Biden po e furnizon Ukrainë shumë ngadalë me sistemet HIMARS, teksa po shqyrton për herë të parë edhe mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë perëndimorë (pasi kundërshtoi në mars planin e Polonisë për të dërguar avionët e saj  MiG-29).

Por për momentin dërgimi i ATACMS është jashtë diskutimit, pasi siç e shpjegoi këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan javën e kaluar, administrata nuk dëshiron të shkojë “drejt Luftës të Tretë Botërore”. Madje sipas tij, Ukraina nuk lejohet të përdorë HIMARS për t’i dhënë fund granatimeve ruse në qytetin e saj të dytë më të madh Kharkiv, pasi bateritë e artilerisë ruse ndodhen në tokën ruse.

Por kjo llogaritje strategjike nuk ka kuptim. A beson vërtet Sullivan se Putin do të nisë Luftën e Tretë Botërore, nëse Shtetet e Bashkuara e furnizojnë Ukrainën me raketa me rreze veprimi prej rreth 290 km, apo që do të rrijë urtë për aq kohë sa ne dërgojmë vetëm raketa me një rreze veprimi prej rreth 80 km?

Apo pse dërgimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore HIMARS, NASAMS, kundërajrorëve 155 mm, dronëve Phoenix Ghost, dhe raketahedhësve Javelins dhe Stingers nuk është shumë provokues, ndërsa avionët luftarakë dhe tanket do të ishin të tillë për Moskën?

Presidenti Biden ka të drejtë që nuk dërgon forcat amerikane në luftime të drejtpërdrejta me rusët. Por gjithçka tjetër duhet të jetë e lejueshme, nga sistemet ATACMS tek avionët luftarakë F-16 dhe tanket Abrams. Sovjetikët nuk ngurruan ta furnizonin Korenë e Veriut dhe Vietnamin e Veriut me avionë luftarakë për të rrëzuar avionët luftarakë amerikanë.

Madje me pilotët sovjetikë mbi Korenë e Veriut. E pse të mos ia kthejmë “nderin” rusëve?

Në fillim të luftës në Ukrainë, disa kishin frikë se Putin po vepronte në mënyrë të paarsyeshme, saqë mund të përdorte deri edhe armët bërthamore. Por nëse na kanë mësuar diçka 5 muajt e fundit, kjo është se ndërsa Kasapi i Bucha-s është një njeri shumë mizor, ai nuk është kamikaz apo irracional.

Putin u tërhoq nga Kievi kur u zbulua se ajo betejë ishte tashmë e humbur. Ndaj nisi një luftë rrënuese në Luhansk. Deri tani ai i ka injoruar sulmet e përfolura të Ukrainës ndaj objektivave ushtarake brenda Rusisë. Ai nuk e ka sulmuar Poloninë, e cila është baza kryesore e dërgimit të armëve në Ukrainë.

Ai nuk bëri asgjë kur Finlanda dhe Suedia aplikuan për t’iu bashkuar NATO-s, një vendim që shton trupat e NATO-s në kufirin e Rusisë. Kjo është në fakt historia e Putinit. Ai është një bullist klasik që zgjedh të kërcënojë më të dobëtit (Gjeorgjia, Ukraina, rebelët sirianë), ndërsa i shmanget përballjeve të drejtpërdrejta me të fortët (Shtetet e Bashkuara, NATO).

Putini është mjaftueshëm i arsyeshëm për të kuptuar se nëse ushtria e tij ka probleme përballë ushtrisë ukrainase, ajo nuk do të kishte asnjë shans në një luftë ballore me aleancën e NATO-s. Shtetet e Bashkuara kanë të njëjtin numër armësh bërthamore me Rusinë, ndërsa e tejkalojnë shumë herë këtë të fundit në aftësitë konvencionale.

Biden është në një pozicion shumë më të fortë se Putin. Por ai po sillet sikur të ishte më i dobët. Mos lejoni që Putin të na pengojë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar Ukrainën. Putin duhet të ketë më shumë frikë nga ne, sesa ne prej tij.

Lufta ka rezultuar deri tani shumë e kushtueshme për Rusinë: Ajo ka humbur rreth 1.000 tanke, dhe rreth 60.000 ushtarë janë vrarë ose plagosur. Nëse ukrainasit do jenë të armatosur me më shumë HIMARS dhe ATACMS, së bashku me tanke dhe avionë luftarakë, atëherë nga ushtria ruse nuk do të mbeten shumë gjëra.

Faza e katërt e luftës mund të rezultojë vendimtare. Por vetëm nëse Shtetet e Bashkuara angazhohen më në fund për ta ndihmuar Ukrainën të fitojë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!