SHBA përshëndet ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh me Shqipërinë e cila do të financojë investime në fushën e mbrojtjes.
Marrëveshja parashikon financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s dhe ndihmon Shqipërinë të arrijë objektivat kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes.
Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se kjo hua do të mbështesë Shqipërinë për përmbushjen e angazhimit për arritjen e nivelit 5 përqind të PBB për mbrojtjen deri në vitin 2035.
SHBA vlerëson pjesëmarrjen e Shqipërisë në strukturat ndërkombëtare të sigurisë, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Trump.
Me këtë marrëveshje Shqipëria, rikonfirmohet si një anëtar i rëndësishëm në Bordin e Paqes si dhe ecën me siguri tashmë drejt pritjes së Samitit të radhës së NATO-s në Tiranë.
Marrëveshja historike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financim rreth 302 milionë dollarë për financime ushtarake u miratua në Kuvend vetëm me vota nga maxhoranca.
Demokratët bojkotuan seancën duke mos e votuar këtë marrëveshje të rëndësishme që vulos partneritetin strategjik me SHBA dhe angazhimin e Shqipërisë në NATO. Përmes kësaj kredie Shqipëria forcon mburojën e saj të sigurisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.



