TIRANË- Konferenca e Investimeve Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor po zhvillon punimet në ditën e dytë në kryeqytetin e vendit, Tiranë.
Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, i ftuar në “Money Report” u shpreh se Bashkimi Evropian e ka dhënë mesazhin që Ballkani është pjesë e Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se e gjitha tashmë ndodhet në duar të Shqipërisë dhe ky moment duhet shfrytëzuar maksimalisht.
“Fatos Mesazhi është i qartë: Në ju u konsiderojmë të barabartë. Jemi së bashku në këtë rrugëtim. Në nivel ekonomik, kështu duhet kuptuar. Integrimi i ka kostot ekonomike, por ama shërbimi që do marrim nga një treg prej 500 milionë është shumë herë më i mirë. Tani e kemi të gjithë në dorën tonë.
Dera është hapur, tani na duhet konkretisht të hyjmë në këtë familje të madhe. Ata an e kanë hapur derën, tani duhet që ne ta shtyjmë veten dhe të plotësojmë standardet që kërkojnë. Presim përfitime të shumta në këtë nismë”, tha ai.
Ai pohoi se biznesi duhet të shtojë motorët e punës për të përmbushur standardet që kërkon tregu europian.
“Loja luhet në fushën e biznesit, ai duhet t’ia kërkojë qeverisë aq para sa kërkon për ndihmë, por standardet konkrete, duhet që vetë biznesi që ti fitojë. Investimi në arsimin profesional është i domosdoshëm. Kapital njerëzor një element i rëndësishëm për integrimin ”, tha ai.
Nga Samiti i Bashkimit Evropian, që kishte në fokus përparimin e Ballkanit Perëndimor dhe përmbushjen e reformave, Shqipëria mori një dhuratë për festat e fundvitit.
Unioni ka miratuar 338 milionë euro fonde si pjesë e Planit të Rritjes për tre vende: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Shqipëria vazhdon të ecë përpara me hapa impresionues për negociatat e anëtarësimit.



