SHBA do të akuzojnë Kinën për vjedhje të punës kërkimore për vaksinën

schedule02:39 - 13 Maj, 2020

schedule 02:39 - 13 Maj, 2020

Prej muajsh, zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për një rritje të sulmeve kibernetike gjatë pandemisë së koronavirusit, por nuk kishin akuzuar një vend të caktuar.

Tashmë që po përshpejtohet gara globale për një vaksinë për koronavirusin dhe hakerët po përqëndrohen tek puna kërkimore shkencore për këtë qëllim, zyrtarët amerikanë po përgatiten të veçojnë një vend të hershëm kundërshtar në kibernetikë – Kinën.

Në një deklaratë të përbashkët që pritet të qarkullohet në ditët në vazhdim, FBI-ja dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare pritet të akuzojnë publikisht Kinën se po përpiqet të vjedhë punën kërkimore amerikane për vaksinën, kurat dhe testet për koronavirusin.

Tad Bradshaw, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Redpoint Cybersecurity”, njëkohësisht anëtar i grupit të punës të Departamentit të Sigurisë Kombëtare për shkëmbimin e hershëm të informacionit, e konfirmoi gjatë një interviste paralajmërimin e planifikuar.

“Mendoj se është gjëja e duhur”, i tha Zërit të Amerikës zoti Bradshaw. “Është një lëvizje politike për të drejtuar publikisht gishtin ndaj qeverisë komuniste kineze dhe për ti deklaruar botës se ata po përpiqen në mënyrë aktive të vjedhin teknologjinë amerikane”.

FBI-ja nuk dha komente. Departamenti i Sigurisë Kombëtare gjithashtu nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar.

Krahas Rusisë, prej kohësh Shtetet e Bashkuara kanë përmendur Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin si vende-origjinë kryesore të sulmeve kibernetike, dhe kanë akuzuar Pekinin për vjedhjen e pronësisë intelektuale amerikane në përpjekje për të siguruar avantazhin në konkurimin me Shtetet e Bashkuara.

Çfarë gjëje tjetër bën Kina? Më thoni”, u shpreh Presidenti Donald Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet për njoftimet ku aludohej se Kina vodhi punën kërkimore për vaksinën.