Serum imunitar nga plazma e pacientëve të shëruar nga COVID-19, si po eksperimenton Greqia?

schedule10:56 - 14 Prill, 2020

schedule 10:56 - 14 Prill, 2020

Transfuzioni  i plazmës së gjakut nga pacientët e rikuperuar tek pacientët e infektuar me COVID-19 është duke u zbatuar edhe në Greqi .

Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë  Z. Sotiris Tsiodras ka diskutuar në fundjavë me Komitetin e Ekspertëve për protokollin përkatës të trajtimit .

Profesori i Hematologjisë-Onkologjisë dhe rektori i Universitetit të Athinës Athanasios Dimopoulos tha se transfuzioni i plazmës do të zhvillohet në dy faza dhe në 7 spitale.

Në fazën e parë, vullnetarët që janë rikuperuar nga COVID-19 ose që kanë rezultuar pozitivë për SARS-CoV-2  do të regjistrohen në regjistrin kombëtar të pacientëve me koronavirus.

Ndër kriteret që duhet të plotësojnë është se këta persona që janë rikuperuar nuk duhet të kenë simptoma, të kenë rezultuar negativë në testin e dytë dhe gjithashtu të kenë qënë të izoluar për të paktën 2 javë.

Vullnetarët do të shkojnë në spitalet përkatëse dhe do të dhurojnë gjak, i cili do të përdoret për të prodhuar serumin imunitar (plazmën) që përmban antitrupat (proteinat) të cilat sipas  studimeve ndërkombëtare mund të ndihmojnë në luftimin e virusit.

Qëllimi i shkencëtarëve në të gjithë botën është të konfirmojnë nëse serumi imunitar mund të shkurtojë kohëzgjatjen e sëmundjes, të zvogëlojë infeksionin ose të parandalojë vdekjen nga COVID-19.

Studiuesit Grek planifikojnë të krijojnë një Bankë të Plazmës së gjakut për koronavirusin, ku materiali gjenetik do të ruhet dhe do të jetë në dispozicion për përdorim, si gjatë fazës pandemike që po kalojmë, ashtu edhe në rast të një valë të dytë vjeshtën e ardhshme.

Në fazën e dytë do të zgjidhen pacientë seriozë COVID-19 të cilët konsiderohen idealë për marrjen e plazmës së gjakut nga pacientët.

Ndër kriteret që duhet të marin parasysh janë rreziku i përkeqësimit dhe mundësia e intubacionit ose edhe  ndonjë përkeqësim më të rëndë pavarësisht mbështetjes mekanike për funksionet jetësore .

Serumi imunitar do të jetë në kombinim me terapitë ekzistuese dhe do të përdoret me shumë  kujdes pasi siç theksoi z. Tsiodras “hulumtimi ende është një eksperiment dhe aplikimi sipas standarteve të duhura në vendin tonë, me të gjitha rregullat që ka shkenca, është e rëndësishme” .

Vlen të përmendet se transfuzionet në plazma janë përgjithësisht të sigurta dhe shumica e pacientëve i përballon por nuk përjashtohet mundësia se mund të shkaktojnë reaksione alergjike dhe efekte të tjera anësore.

Kjo është arsyeja pse profesori i Sëmundjeve Infektive nënvizoi se specialistëve grekë duhet t’u jepet kohë për të arritur në përfundimet e para të sigurta para se të vendosnin për përdorimin e përgjithshëm të serumit imunitar. Por ai shtoi se “nëse provohet efektive (trajtimi) do të jetë një armë tjetër në duart e mjekëve tanë”./abcnews.al