Sekuestrohen 50 mijë euro në Portin e Durrësit, hetohen dy kamionistët

schedule09:12 - 19 Maj, 2020

schedule 09:12 - 19 Maj, 2020

Dy kamionistë janë proceduar pasi kanë tentuar që të kalojnë një shumë të konsiderueshme parash në mënyrë të paligjshme në Portin e Durrësit.

Bëhet fjalë për një kamionist nga Kavaja të cilit iu gjetën në kamion 30 mijë euro.

Ndërsa, një kamionist tjetër malazez kishte fshehur në tavanin e kabinës së kamionit, në një pako të mbështjellë 20 mijë euro të padeklaruara.

Njoftimi i policisë:

Port/Durrës

Kontrolle të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia Kufitare parandalon dhe godet dy raste të mosdeklarimit  të të hollave në kufi.

Sekuestrohen 50.000 euro.

Procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas.

Strukturat e DVKM Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, proceduan në gjendje të lirë shtetasin B. S., 49 vjeç, banues në Gosë, Kavajë, pasi gjatë kontrollit të kamionit në administrim të tij u konstatuan dhe u bllokuan 30.000 euro të padeklaruara.

Po nga strukturat e DVKM Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës u procedua penalisht edhe N. L., 45 vjeç, shtetas malazez. Në dalje të RSH-së, në PKK Port Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit në kamionin me drejtues shtetasin malazez N. L., gjetën të fshehur në tavanin e kabinës së mjetit, një pako të mbështjellë me natriban, në të cilën ndodheshin 20.000 euro, vlera monetare të pa deklaruara në kufi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.