Analisti Adri Nurellari tha se lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë sfilitëse, ku palët po testojnë qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të përballuar konfliktin afatgjatë.
Sipas tij, Rusia ka bërë avancime minimale, ndërsa Ukraina ka intensifikuar goditjet strategjike ndaj infrastrukturës së naftës dhe gazit në territorin rus, duke treguar rezistencë edhe përballë sfidave me ndihmën ndërkombëtare. Nurellari theksoi se vera mund të jetë prova vendimtare për ndryshime në front dhe për krijimin e një klime të mundshme negociatash.
“ Lufta ka hyrë në fazën sfilitëse: kush lodhet i pari. I fundit që do dalë i lodhur tregon që është komod dhe i hapur. Këtu kanë ndodhur disa zhvillime; është një luftë ku Rusia ka bërë avancime minimale, por Ukraina ka goditur në thellësi strategjike, si në rafineri dhe rrjetet e transportit të naftës dhe gazit, gjë që e rëndon Rusinë.
Për herë të parë, niveli i sulmeve të Ukrainës në Rusi ka qenë më i madh. Në këtë dimension, ajo që priste Putini, si refuzimin e SHBA-së për ndihmë ndaj Ukrainës, që do ta detyronte Zelenskyn të “gëlltiste”, nuk ndodhi; përkundrazi, Zelensky ka treguar rezistencë pa SHBA-në. Trump ka dalë jashtë loje, sepse ka nxitur BE-në që të japë fonde si rrallëherë më parë. Belgjika ka planifikuar të falë flotën e avionëve F-16. Spanja, për herë të parë, do t’i japë 1.5 miliardë. Ukraina po dëshmon një qëndrueshmëri; mund të ketë hapësirë për negociata, por është ende herët. Vera do të jetë sprova e fundit për të parë nëse do të ketë ndryshim të frontit. Mënyra sesi po rrjedhin zhvillimet dhe fakti që Rusia po jep këto sinjale, pra vështirësi për të luftuar gjatë, mund të krijojnë një klimë negociatash.”


