Rinisin protestat e naftëtarëve në Ballsh

schedule14:10 - 4 Prill, 2018

schedule 14:10 - 4 Prill, 2018

Naftëtarët e Ballshit kanë protestuar sot para uzinës. Ata kërkojnë që të rikthehen në punë, të marrin detyrimet e prapambetura dhe të përfitojnë statusin e naftëtarit. Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, ata paralajmërojnë protesta të tjera.

Naftëtarët e Ballshit i rikthehen protestave. Kërkesat mbeten të njëjta. Fillimisht marshuan në sheshin para uzinës.

Por më pas hynë me forcë, duke kapercyer portën e kompanisë dhe u futën ne oborr. Njëri prej tyre guxoi më tepër duke gjuajtur me gurë një dritare të godinës.

Naftëtarët kërkojnë që të rifillojë puna për të gjithë punëtorët, të shlyhen pagesat e prapambetura dhe të hyjë në fuqi statusi i naftëtarit.

“Problemet tona janë të njohura, problemet tona janë të ditura. Mungon vetëm dëshira”.

Kreu i sindikatës së naftëtarëve tha se deri tani janë ripunësuar 150 punonjës, ndërsa 700 të tjerë janë hedhur në rrugë. Sipas tij, uzina ka kapacitet për t’i punësuar të gjithë.

“Të gjithë bashkë, të gjithë jashtë, derisa të nënshkruhet kontrata dhe ne të hyjmë si punëtorë me dinjitet”.

Ata thonë se nuk do të lejojnë asnjë punëtor që të futet në uzinë dhe protestat do të jenë të vazhdueshme.

Qeveria u premtoi plotësim të kërkesave, por vetëm një pjesë kanë arritur të marrin pagat, ndërsa shumë të tjerë as janë paguar e as kanë përfituar sigurimet shoqërore./abcnews.al