Rikuperimi i plotë dhe ambiciet e mëdha, Suarez: Më ndihmoi koronavirusi

schedule17:40 - 29 Maj, 2020

schedule 17:40 - 29 Maj, 2020

Periudha pa futboll ka ndihmuar lojtarët që kanë qenë të dëmtuar. Njëri prej tyre është Luis Suarez, i cili qëndron pushim prej muajit janar. Sulmuesi i Barcelonës dëmtoi gjurin në ndeshjen e Superkupës kundër Atletico Madrid dhe tani është rikuperuar plotësisht.

33-vjeçari ka folur rreth situatës së tij për Sport.es. Ai i është bashkuar skuadrës në stërvitje dhe është gati për rifillimin e kampionati spanjoll (11 qershor). “E vërteta është se jam shumë i lumtur. Në fillim u stërvita me Juanjo dhe gradualisht jemi integruar me grupin.

Pjesërisht, koronavirusi më ka ndihmuar të fitoj kohë për rikuperimin. Tani mund të luaj disa ndeshje që nuk do kisha mundësi t’i luaja më parë. Ky fakt më gëzon shumë, edhe pse situata që kemi përjetuar është tragjike.

Ambiciet janë të njëjta, të fitojmë sa më shumë të mundemi. Mendoj se jemi në formë të mirë për t’ia dalë“, deklaron bomberi uruguaian i kampionëve në fuqi të Spanjës. /abcnews.al