Richard Gere thirret për të dëshmuar kundër Salvinit për bllokimin e anijes me emigrantë

schedule10:26 - 24 Tetor, 2021

schedule 10:26 - 24 Tetor, 2021

Udhëheqës i “LEGA”-s, Matteo Salvini është në gjyq për ndalimin e ankorimit të anijes me 147 emigrantë në bord gjatë kohës që ishte në postin e ministrit të Brendshëm. Emigrantët ishin në bordin e një anijeje, së cilës Salvini i mohoi lejen për t’u ankoruar në Itali në gusht 2019, duke i lënë ata të bllokuar në det dhe duke vënë jetën e tyre në rrezik.

Ndër dëshmitarët e listuar për të dhënë dëshminë në gjyq është edhe aktori amerikan Richard Gere, i cili vizitoi emigrantët në bord ndërsa ata prisnin në brigjet e Italisë, gjë që, për Salvinin, është një shembull i mungesës së seriozitetit të akuzave të ngritura kundër tij.

Le të flasim për Richard Gere. Ju më thoni sa serioz është një gjyq kur dikush vjen nga Hollywood për të dëshmuar?” pyeti ai, duke folur me gazetarët pas seancës së parë në Palermo të shtunën. Një ditë më parë ai kishte bërë shaka se nëse Gere do të shpallej zyrtarisht dëshmitar, ai do t’i kërkonte një autograf për nënën e tij.

Prova të tjera që do të përdoren kundër Salvinit përfshijnë të dhënat e komunikimit nga thirrjet e urgjencës nga anija dhe roja bregdetare italiane kur ata caktuan portin e Lampedusa-s si portë zbarkimi, për të përcaktuar se në çfarë pike dhe në çfarë forme ndërhyri Salvini.

Salvini i ka mohuar vazhdimisht akuzat, por ka pranuar se ka bllokuar anijen nga ankorimi në Itali, duke thënë se ishte detyra e tij si ministër i Brendshëm. Ai argumenton se për shkak se anija ishte me flamur spanjoll, emigrantët duhet të ishin dërguar në Spanjë. / Abcnews.al