“Akademia e 100 fshatrave” është rrjeti më i ri i bashkëpunimit mes qeverisë dhe botës universitare. Në funksion të 100 fshatrave, të përzgjedhur për tu kthyer në destinacione të reja turistike është nënshkruar në kryeministri, marrëveshja për projektet e Programit Kombëtar të Rilindjes Rurale.
Projekti “100 fshatrat” është fitimprurës për të gjithë sipas kryeministrit Edi Rama. Të parët janë familjet, shtëpitë e të cilëve do të shndërrohen në destinacione të mirëfillta turistike.
“Për t’i dhënë hov një zhvillimi ekonomik dhe social aty ku deri sot kjo duket e pamundur”.
Me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe universiteteve, do të jenë studentët, ata që nuk do t’i kthejnë më sytë nga rrogat e shtetit tha kryeministri Rama.
“Po krijojmë rrugë dhe mundësi për shumë studentë të sotëm që të jenë nesër aktorë dhe protagonistë të zhvillimit dhe ta shikojnë jetën e tyre profesionale jo të lidhur domosdoshmërisht me një punë në shtet.”
Të ardhurat do të rriten edhe për vetë pedagogët që do të jenë pjesë e ndërveprimit të munguar qeveri-botë akademike.
“Por edhe duke krijuar për veten e tyre mundësi që të përfshihen në një rrjet konsulencash që nesër mund të japë një vlerë të shtuar në të ardhurat e tyre”.
Lista e atyre që do të përfitojnë nga zgjerimi i Shqipërisë turistike vazhdon me emigrantët.
“Si një instrument, ku secili që do të investojë do të fitojë më shumë se emigracioni çfarëdo qoftë ajo”.
Akademia rurale që lindi pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve shënon sipas kryeministrit Rama, rrugën e re të dijes që do t’i vihet në dispozicion njerëzve të zakonshëm, duke i mësuar jo vetëm se si të bëjnë më shpejt e më mirë aplikimet për të marrë financime për prodhimin bujqësor e blegtoral, jo vetëm se si ta shndrrojnë shtëpinë në një bujtinë për të ndërtuar një agroturizëm por mbi të gjitha se si ta shohin ardhmen aty ku kanë tokën e prindërve./abcnews.al