Kryeministri Edi Rama ka folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe eksperiencën e Shqipërisë me “Diellën”, ministren virtuale të krijuar me inteligjencë artificiale.
Rama tha se sfida nuk duhet të jetë vetëm shpejtësia me të cilën teknologjia kryen një detyrë, por edhe ajo që mëson dhe kupton njeriu nga procesi.
“Ne mund të ndërtojmë një IA që mëson dhe jo që thjesht të përgjigjet. Pyetja nuk shtrohet se sa shpejt e kreu punën makina, por se çfarë mësoi qenia njerëzore”, u shpreh Rama.
Kryeministri ngriti gjithashtu çështjen e përgjegjësisë njerëzore në rastet kur vendimet e marra me ndihmën e inteligjencës artificiale rezultojnë të gabuara.
“Kush e kuptoi vendimin dhe kush përgjigjet për vendimin kur është i gabuar?”, tha ai.
Duke iu referuar “Diellës”, Rama theksoi se Shqipëria është ndër vendet që po eksperimentojnë konkretisht me përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike.
“Ministrja jonë ‘Diella’ është e njohur. Pas çdo vendimi me ndikim publik duhet të mbetet një mandat ligjor”, deklaroi kryeministri.
Rama foli edhe për ndikimin që inteligjenca artificiale mund të ketë në marrëdhënien mes informacionit, së vërtetës dhe perceptimit njerëzor.
“Shtresa e dytë është ajo çfarë mund të na bëjë. Ajo mund të reduktojë distancën midis gënjeshtrës dhe mendjes njerëzore dhe Shqipëria e ka përjetuar drejtpërdrejt”, tha Rama.

