Rama: Meta një taleban, veprimet tona 100% të dakordësuara me SHBA e BE

schedule14:40 - 15 Nëntor, 2019

schedule 14:40 - 15 Nëntor, 2019

Edi Rama e quajti presidentin Meta taleban sot në seancën plenare, dhe tha se veprimet e mazhorancës për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese janë 100% të dakordësuara me SHBA-në dhe BE-në. Kuvendi miratoi një rezolutë ku i kërkon Kushtetueses të mos e njohë Marsida Xhaferllarin si gjyqtare, ndërsa PS thotë se do të sjellë disa ndryshime kushtetuese që kufizojnë lirinë e Presidentit.

Thirrën një seancë të jashtëzakonshme për t’i bërë gjyqin Ilir Metës, por salla ishte bosh. Ardhja e kryeministrit, solli në sallë jo vetëm mazhorancën, por edhe opozitën e re.

Edi Rama e sheh Ilir Metën, të cilin e zgjodhi vetë president, një hall për t’u hequr.

Kreun e shtetit e sheh armik të reformës në drejtësi.

Kryeministri nënvizon se ndërkombëtarët janë me të, dhe i cilëson kërcënime deklaratat e Metës për diplomatë të korruptuar.

Për përplasjet mes mazhorancës dhe Presidentit për Gjykatën Kushtetuese, kryeministri nuk i njeh faj boshllëqeve ligjore.

Për këtë, socialistët parashikojnë të ndryshojnë shpejt në kuvend kushtetutën dhe ligjet e drejtësisë, duke i kufizuar rolin presidentit.

Kuvendi miratoi me 97 vota pro dhe asnjë kundër, një rezolutë që i kërkon Gjykatës Kushtetuese të mos e njohë Marsida Xhaferllarin si gjyqtare, edhe pse u dekretua nga Meta. Ky vendim i Kuvendit nuk është detyrues dhe nuk e anulon dekretin presidencial. /abcnews.al