Kabineti qeveritar dhe grupi parlamentar socialist janë mbledhur në Pallatin e Brigadave që prej orës 11 të kësaj të shtune.=
Ky takim është i treti i kësaj natyre brenda dy muajve të fundit, ndërkohë janë tre pika kyçe të mbledhjes së sotme.
Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, raportoi përpara pjesëmarrësve mbi punët e kryera nga ky institucion, në një kohë kur Rama ka lakuar ndryshime të mundshme. I pari erdhi me zhvendosjen e kadastrës së Vlorës drejt kryeqytetit.
Në axhendë do të raportojë bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, në një moment kur afatet janë të limituara dhe komisioni duhet të dalë me një draft brenda korrikut.
Në fokus do të jetë edhe diskutimi për strategjinë e komunikimit me publikun dhe qytetarët, që do të prezantohet nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismaili.
Sakaq, socialistët do të nisin turin e komunikimit me qytetarët në qytetet e Shqipërisë, i cili do të përmbyllet më 12 qershor, datë që përkon me 35-vjetorin e Partisë Socialiste.
Ndërkohë, kjo mbledhje e grupit parlamentar vjen pas asamblesë javën e kaluar dhe mbledhjes së fundit të ndodhur mbrëmjen e djeshme mes kryeministrit Rama dhe strukturave të njësisë 2 në kryeqytet.


