Gjyqtarët si qeveri më vete. Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj një deklarate të gjyqtarit të posaçëm, Engert Pëllumbi, njëherësh kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve që paditi qeverinë në Kushtetuese për të kërkuar rritjen e pagës së tij dhe kolegëve të vet.
Sipas Engërt Pëllumbit, i cili është bërë zëri i gjyqtarëve në disa studio mediatike, gjyqtarët duhet të marrin pagat e vetërritura pasi i kushtojnë buxhetit të shtetit po aq sa Gjykata e tij konfiskon në vit nga krimi i organizuar. Me fjalë të tjera, sipas gjyqtarit, çdo pronë dhe aset i konfiskuar duhet t’u ndahet gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndaj, për kryeministrin, kjo deklaratë është një ftesë për anarki.
“Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë: do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat, dhe kjo “i kemi mbledhur vetë” është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit”, tha Rama.
Precedenti që po synojnë të vendosin gjyqtarët, sipas KM, mund të kthehet në tentativë për zbrazjen e buxhetit të shtetit.
“Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë: duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat dhe nga gjobat!”, shtoi kryeministri.
Megjithatë, për kryeministrin, ajo që po tentojnë të bëjnë gjyqtarët është një padrejtësi për gjithë profesionet e tjera të administratës në hierarkinë e pagave.
Dhe sikur kjo rritje e kërkuar pa ligj të pranohet si fakt i kryer, i bie që, krahasuar me mësuesin, mjekun, ushtarakun, një gjyqtar fillestar të marrë 3.8 herë më shumë ose një pagë 280% më të lartë.
Por, përtej pagave, kjo rrezikon të jetë përballja më e madhe e drejtësisë ndaj qeverisë. Shpatën që kryeministri Rama, me Reformën e re në Drejtësi, u dha gjyqtarëve, gjyqtarë të cilët shpatën po e përdorin si të vjetrit, për xhepin e tyre.

