Protesta në Sllovaki për zgjedhje të reja

schedule14:04 - 17 Mars, 2018

schedule 14:04 - 17 Mars, 2018

Sllovakët kërkojnë zgjedhje të reja, pasi nuk janë të kënaqur me dorëheqjen e kryeministrit Robert Fico. Me mijëra persona kanë protestuar në 34 qytete të vendit.

Dhjetëra mijëra persona protestuan në Sllovaki për të kërkuar zgjedhje të reja pas dorëheqjes së kryeministrit Robert Fico, i cili kritikohej prej javësh për disa fakte në lidhje me vrasjen e gazetarit Jan Kusiak, në 22 Shkurt. Vetëm në Bratislavë ishin 50 mijë, personat e mbledhur në shesh, të cilët kërkonin një Sllovaki më të mirë. Protesta të ngjashme u mbajtën në 34 qytete të vendit.

Çdo gjë nisi sepse sipas të dhënave të deritanishme nga hetimet, Kusiak është vrarë për hetimin që po kryente mbi aktivitetet e mafias kalabreze në Sllovaki dhe për lidhjet mes krimit të organizuar dhe njerëzve pranë anëtarëve të qeverisë.

Fillimisht dhanë dorëheqjen dy nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-kryeministrit Fico dhe ministri i brendshëm Robert Kalinak. Fico dha dorëhqjen pasi një nga tre partitë pjesë e koalicionit qeverisës, Most-Hid, që përfaqëson minoritetin hungarez, kërkoi zgjedhje të reja në rast se nuk do të kishte ndryshime në qeveri.

Postin e kryeministrit aktualisht e mban Peter Pellegrini, zëvendëskryetari i partisë Drejtimi Socialdemokrat, kryetar i së cilës është Fico. Sipas analistëve, ish-kryeministri do të vazhdojë të ketë një influencë të fortë në qeveri pikërisht për këtë arsye. Protestuesit kërkojnë zgjedhje të reja pasi mendojnë se ajo e Pellegrinit do të vazhdojë të jetë në të vërtetë qeveria e Ficos. Në koalicionin qeverisës është dhe partia Kombëtare sllovake e ekstremit të djathtë.

Hetimet për vrasjen e Kusiak dhe të fejuarës së tij, nuk kanë përfunduar ende./abcnews.al