Protesta e studentëve/ Shkodër, Korçë e Vlorë, akuza pedagogëve për presion

schedule15:35 - 7 Dhjetor, 2018

schedule 15:35 - 7 Dhjetor, 2018

Kanë qenë masive protestat e studentëve në Shkodër, Korçë e Vlorë. Por ndërsa në Shkodër njëri nga pedagogët frymëzoi studentët e tij, në Korçë e në Vlorë pati studentë që qëndruan në auditore nga presionii pedagogëve.

Pedagog i Letërsisë në Shkodër Arben Prendi: “Mos u mashtroni nga premtimet dhe fjalët boshe, ju jeni pjesa me e kulturuar e shoqërisë shqiptare. Ju keni mundësinë të sillni ndryshime të rëndësishme për shoqërinë sot. Vazhdoni protestën dhe marrëveshja duhet të finalizohet me shkrim”.

Ishte pedagogu i Letërsisë, lezhjani Arben Prendi që frymëzoi më shumë të rinjtë shkodranë.

Masive dhe e fuqishme protesta në Shkodër. Një marshim nga godina e Fakultetti të Shkencave për t’u ndalur në sheshin “Dy Prilli”.

“Përgjysmimi i tarifave, përmirësim i kushteve në shkolla e konvikte dhe arsim cilësor”.

“Luftoni, mos kini frikë e drejta është e jona e ardhmja është e jona”.

“Mbajeni mend do vijë dita jonë”.

Rrugës shumë qytetarët iu bashkangjitën tubimit.

Studentët vlonjatë nuk do të tërhiqen nga protesta. Gazetari i ABC News Elton Nika foli me shumë nga ta.

Të rinjtë u kanë bërë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre të braktisin auditoret dhe të bashkoheshin në protestë.

“Disa studentë janë pak të stepur për shkak të presionit që mund t’u bëjnë pedagogët”.

Protesta nisi që në orët e para të kësaj të premteje. Nga Universiteti ata marshuan nëpër qytet për tu kthyer sërish para godinës së “Ismail Qemalit”.

“Protesta jonë do të vazhdojë derisa kërkesat tona të plotësohen”.

Disa nga pedagogët në Korçë u kanë kërkuar studentëve të kthehen në mësim. Presioni është bërë në kohën kur numri i protestuesve vinte në rritje.

Fillimisht studentët e të gjitha fakulteteve u grupuan tek Korpusi Qendror dhe më pas marshuan në rrugët kryesore të qytetit.

“Përgjysmim i tarifave të studimit në Bachelor e Master, përmirësim i kushteve në universitete e konvikte. Do solidarizohemi me të gjithë studentët e Shqipërisë”.

Studentët kërkuan që qytetarët të bashkoheshin me ta. Lini kafet dhe ejani me ne, ishin thirrjet e tyre.  Tubimi vijoi për më shumë se tri ore dhe policia monitoroi në distancë.

Gazetar i ABC News, Vlorë: Elton Nika

Gazetar i ABC News, Shkodër: Simon Shkreli

Gazetare e ABC News Korçë: Daniela Zisi