Protesta, deputetët e PD dhe LSI mbërrijnë në Kukës

schedule11:42 - 1 Prill, 2018

schedule 11:42 - 1 Prill, 2018

Situata në Kukës, pas valës së arrestimeve të 24 protestuesve është tepër e tensionuar. Shumë banorë vazhdojnë të jenë në sheshin kryesor të qytetit. Ata kërkojnë lirimin e menjëhershëm të protestuesve, por edhe heqjen e tarifës së Rrugës së Kombit.

Kryebashkiaku i Kukësit pas takimit me përfaqësin e protestuesve si dhe tensionimit të situatës doli në një konferencë për shtyp. Ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit dhe kryeministrit Rama të tërheqin forcat policore nga Kukësi, pasi qyteti është në shtetrrethim.

Bashkim Shehu: “Kërkoj të shtensionohet politikisht situata. Kukësi që nga mbrëmë është kthyer në një shtetrrethim policor, e në këtë kontekst i bëj thirrje qeverisë të heqë këtë rrethim policor e terror ndaj qytetarëve. Policia të vleresojë me maturi situatën, të ruajë ekuilibrat dhe të mostejkalojë kompetencat ligjore me veprime antikushtetuese. Organet e prokurorisë, Gjykatës, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, të bëjnë të gjitha vlerësimet e nevojshme, hetim të plotë e të paanshëm, komunikim të vazhdueshëm rreth zhvillimeve e transparencë të plotë për fatin e qytetarëve të shoqëruar gjatë natës dhe ditës së sotme. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë qytetarëve të shoqëruar gjatë këtyre orëve dhe kjo kërkesë është e panegociueshme”.

Nga Tirana në Kukës për të mbështetur protestuesit e Rrugës së Kombit. Një grup deputetësh të PD-s mes tyre dhe përfaqësues të LSI-së, fillimisht organizuan një takim në godinën e PD. Më pas, ata bashkë shkuan në Drejtorinë e Policisë. Ata u futën brenda ambjenteve për të negociuar qetësimin e situatës dhe lirimin e menjëhershme të protestuesve të arrestuar gjatë natës.

Edmont Spaho: “I kërkuam drejtorit të policisë, në interes të qetësimit të situatës, ta ndërpresi këtë klimë. T’i japi fund kësaj klime. T’i lirojnë ata të cilët i kanë ndaluar, që për fat të keq i kanë çuar në Tiranë nuk janë këtu në Kukës. Nëse do të vazhdojnë me formaa të tilla, me presion, me arrestime, me dhunë ndaj qytetarëve, situata mund të eskalojë. ”

Shumë banorë vazhdojnë të jenë në sheshin kryesor të qytetit. Ata kërkojnë lirimin e menjëhershëm të protestuesve, por dhe heqjen e tarifës së Rrugës së Kombit./abcnews.al