TIRANË- Policia Rrugore e Tiranës ka “blinduar” rrugët e kryeqytetit gjatë javës së fundit, duke ndëshkuar mijëra drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit.
Sipas bilancit zyrtar, janë vendosur plot 14 mijë e 341 masa administrative, ku pjesa më e madhe lidhet me shkelje që rrezikojnë sigurinë në rrugë.
Kontrollet kanë nxjerrë në pah edhe raste të shumta të drejtuesve që qarkullonin nën efektin e alkoolit. Në total janë ndëshkuar 45 shoferë, ndërsa 11 prej tyre kanë përfunduar në pranga.
Problem mbetet edhe parkimi i gabuar pasi vbetëm gjatë një jave janë vendosur mbi 9 mijë gjoba për ndalim dhe qëndrim të parregullt të mjeteve, ndërsa dhjetëra automjete janë bllokuar dhe transportuar me karrotrec.
Rrugorja ka goditur gjithashtu përdorimin e telefonit në timon, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe mungesën e kaskës mbrojtëse tek drejtuesit e motorëve.
Gjatë javës janë kryer arrestime për aksidente me pasoja të rënda, ndërsa është proceduar edhe një rast për korrupsion ndaj funksionarëve publikë.


