Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

Përplasja me armë në Bushat/ SPAK kopsit dosjen, dërgohen për gjykim “ushtarët” e grupit Bajri

schedule09:52 - 15 Maj, 2026

schedule 09:52 - 15 Maj, 2026

SPAK Ka mbyllur hetimet për sulmin me armë zjarri në Rranxë të Bushatit, regjistruar në gusht 2024, dhe zbret dosjen në GJKKO për 4 të pandehur.

Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Franko Lekën, të cilët akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe planifikuar vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij.

Ndaj tyre janë ngritur akuzat “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kryer kundër dy a më shumë personave”, mbetur në tentativë, “sigurim kushtesh për të kryer vrasje”, “grup i strukturuar kriminal”.



Organi i akuzës ka marrë të pandehur edhe shënjestrën, Aleksandër Prendin, ndaj të cilit rëndon vepra penale “vrasje e mbetur në tentativë”.

Sakica, Troshani dhe Leka, sipas SPAK, tentuan të vrisnin Aleksandër Prendin, por në momentin që janë futur në fshatin Rranxë, ata janë sulmuar me armë nga ky i fundit.

Franko Leka dhe Aleksandër Prendi vijojnë të jenë në kërkim, ndërkohë dy të tjerët mbahen në masë shtrënguese “arrest në burg”.

Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar, janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.

Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij, që janë banorë të kësaj zone.

Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga Prendi.

Nga provat e siguruara në vendin e ngjarjes rezulton të ketë pasur shkëmbim zjarri, jo dëmtime të shëndetit të personave të përfshirë, por vetëm të mjeteve.

Njëri nga mjetet me të cilat kanë lëvizur personat nën hetim, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në vendin e ngjarjes.

Ai ka rezultuar i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkasin të njëjtit mjet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!