Disa shtëpi dhe toka bujqësore janë përmbytur në Imsht të Lushnjës. Reshjet kanë shtuar prurjet e Semanit dhe të kanaleve në zonë.
Në fshatin Imsht të Lushnjës, këtë herë përveç lumit Seman, përmbytja u shkaktua edhe nga kanalet.
Bllokimi i tyre ka sjellë në zonë përmbytjen e banesave dhe shumë oborre.
Banorët thonë se përmbytja ka ardhur si rezultat i prodhuesve të cilët kanë bllokuar rrjedhat e kanaleve për të përfituar tokë më shumë për mbjellje.
Të zënë në grackën e ujit, banorët e Imshtes, shohin me ankth prurjet e lumit Seman, të cilat këtë herë janë më të mëdha se një muaj më parë.
Tokat që shtrihen buzë lumit janë të gjitha nën ujë, duke shënuar rastin e pestë të përmbytjes brenda dy muajve.
Reshjet në këtë zonë nuk kanë pushuar as ditën e sotme, por krahasuar me dje intensiteti ka rënë.
Përpara çdo banese kanalet kullues janë të tejmbushur me ujë, qarkullimi i të cilit nuk kryhet edhe për shkak të bllokimit të tyre nga barishtet dhe papastërtitë./abcnews.al