Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Përmbytjet në Gaza, katër viktima nën rrënojat e kampeve të zhvendosjes

schedule23:25 - 11 Nëntor, 2026

schedule 23:25 - 11 Nëntor, 2026

Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar një tjetër tragjedi në Rripin e Gazës, ku katër persona, mes tyre tre fëmijë, kanë humbur jetën pas shembjes së një argjinature rëre në një kamp për të zhvendosurit në Deir al-Balah.

Mijëra tenda janë përmbytur, ndërsa uji ka vërshuar edhe në zonat ku strehohen palestinezët e larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës. Sipas UNICEF-it, reshjet kanë prekur drejtpërdrejt rreth 106 mijë persona.

Ngjarja tragjike ndodhi të dielën në mbrëmje në kampin Ard al-Ribat, ku një masiv rëre u shemb pas reshjeve, duke zënë poshtë dy tenda. Banorët u përpoqën të nxirrnin të mbijetuarit me duar, pasi në zonë mungonin makineritë dhe pajisjet e kërkim-shpëtimit. Mes viktimave ishin tetëvjeçari Salah, motra e tij gjashtëvjeçare Maryam dhe nëna e tyre 36-vjeçare, Tahrir, e cila ishte pesë muajshe shtatzënë. Babai i fëmijëve, Ahmed al-Nabhan, i cili ishte liruar së fundmi nga burgjet izraelite, mbeti i vetmi i mbijetuar i familjes.



Një tjetër familje u godit nga tragjedia. Katërvjeçarja Habiba humbi jetën pasi tenda ku qëndronte u përfshi nga shembja, ndërsa nëna e saj Reem dhe vëllai Ibrahim ndodhen në kujdes intensiv. Të mbijetuarit tregojnë se gjithçka ndodhi brenda pak minutash, ndërsa britmat për ndihmë dëgjoheshin në të gjithë kampin. Banorët përdorën edhe dritat e telefonave për të kërkuar njerëz nën rrënoja, por për shkak të mungesës së mjeteve nuk arritën t’i shpëtonin të gjithë.

Situata është përkeqësuar edhe nga shkatërrimi i infrastrukturës së Gazës gjatë sulmeve izraelite. Rrjetet e kullimit janë dëmtuar rëndë, rrugët janë në gjendje të keqe dhe bashkitë nuk kanë pajisjet e nevojshme për largimin e ujërave.

Zyra qeveritare e medias në Gaza e cilësoi shembjen një katastrofë humanitare dhe akuzoi Izraelin, administratën amerikane dhe komunitetin ndërkombëtar për përgjegjësi, duke theksuar se pengimi i hyrjes së strehimeve të përkohshme, materialeve të ndërtimit dhe pajisjeve të emergjencës i ka lënë banorët të pambrojtur përballë përmbytjeve.

Ndërkohë, organizatat humanitare kanë kërkuar lejimin e hyrjes së ndihmave dhe materialeve për riparimin e tendave dhe infrastrukturës së dëmtuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!