Përfundon rikonstruksioni i plotë i gjimnazit “Çajupi” në Tiranë

schedule14:27 - 5 Janar, 2019

schedule 14:27 - 5 Janar, 2019

Gjimnazi “Çajupi” në Tiranë ka përfunduar së rikonstruktuari. Punimet u inspektuan nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i cili u shpreh se mësimi me dy turne në shkollat e kryeqytetit po merr zgjidhje.

Nxënësit e shkollës së mesme “Andon  Zako Çajupi” në Tiranë do ta nisin vitin 2019 në klasa dhe hapësira të reja. Rikonstruksioni i plotë i godinës ka përfunduar, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet e kryera.

“Qartazi është punuar gjatë gjithë kësaj stine. Edhe pse kishim planifikuar që punimet të zgjasnin një vit, pra nxënësit të hynin në shtator, lajmi i mirë është që ata do ta fillojnë mësimin në 7 janar. Tani shkolla ka ndriçim led, një palestër të re, një krah të ri me tre kate, pothuajse e bërë nga e para, tre terrene sportive, laboratorët e kompjuterëve, tualete, dhe gjithë sistemin e ngrohjes, të bërë nga e para. Tani, sigurisht pres që të dalin me rezultate të mira”.

Ndërsa shkolla e tyre rikonstruktohej nxënësit e Çajupit zhvillonin mësim në gjimnazet  “Partizani” dhe “Eqerem Çabej”.  Me përfundimin e punimeve në këto tre shkolla të mesme, sipas Kryetarit të Bashkisë merr fund zhvillimi i mësimit me dy turne.

“Me hapjen e shkollës së re lirohen edhe shkollat “Partizani” dhe “Eqerem Çabej”, që kanë qenë me dy turne, sepse aty shkonin nxënësit e “Çajupit”. Një nga shkollat model të Tiranës, por tani model jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies dhe përkushtimin e drejtoreshës, mësuesve, prindërve, nxënësve, por tani model edhe si infrastrukturë.”

Pas “Çajupit” kryetari i bashkisë bëri të ditur se  përfundon edhe rikonstruksioni i gjimnazit “Ismail Qemali”. /abcnews.al