Përfundon pa dakordësi mbledhja e Këshillit Politik, Gjiknuri: Opozita të sjellë propozimet deri të premten

schedule20:17 - 14 Shtator, 2020

schedule 20:17 - 14 Shtator, 2020

Ka përfunduar mbledhja e Këshillit Politik.

Bashkëkryetari  i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri në një komunikim për mediat tha se qëllimet kushtetuese nuk duhet të vonohen duke lënë të kuptohet se kodi zgjedhor do të ndryshohet edhe nëse PD-LSI nuk japin konsensus.

Po ashtu, Gjiknuri u shpreh se PD “fatkeqësisht po tenton që të fusë vendin në krizë politike.”

“PD-së i është bërë një favor i madh me Këshillin Politik, sepse nuk është në Kuvend. PD kërkon që të bllokojë implementimin e ndryshimeve kushtetuese, kërkon të fusë vendin në krizë. Shumë rekomandime të ODIHR janë përmendur, për shkak të pretendimeve të opozitës jashtë-parlamentare. Duhet të punojmë mbi drafte ligjore. Ekspertët do paraqesin draftin teknik. Çështja e votave të emigrantëve tashmë mund të mundësohet, duhet vetëm implementimi”, u shpreh ai.

Gjithashtu Gjiknuri theksoi se në ODIHR nuk shkohet me ide, por me drafte, ndërsa shtoi se PS është e hapur për pragun zgjedhor të hyrjes së Partive në Parlament.

“Qëllimi i tyre është ta vonojnë këtë proces që të mos implementohen ndryshimet kushtetuese. Këtë nuk mund ta lejojmë. Kërkova që brenda 30 qershorit, kjo çështje të mbyllet përfundimisht. Kur ODIHR-t nuk mund t’i shkohet me ide, por me drafte. Nëse kemi ndonjë dispozitë që nuk mund të jemi dakord, mund t’i drejtohemi më vonë. Të dyja palët të sjellin draftet deri të premten dhe t’i diskutojmë.

Kuvendi është sovran dhe i ka votat e duhura, por duam të respektojmë edhe propozimet e opozitës por gjithmonë në frymën e kushtetutës së re për kuotat gjinore dhe patjetër çështja e pragut zgjedhor ku jemi të hapur. PD tha ti drejtohemi ODIHR-t, por nuk e di për çfarë e kanë fjalët”, tha më tej Gjiknuri.

/abcnews.al/