PE miraton rezolutën për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE

schedule14:45 - 18 Shtator, 2019

schedule 14:45 - 18 Shtator, 2019

Është miratuar me 544 vota pro në Parlamentin Europian rezoluta për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Ndërkohë Komisioni Europian kërkoi sërish nga kryeministri britanik Xhonson propozime konkrete dhe të shkruara.

Parlamenti Evropian aprovoi  me 544 pro, 126 kundër dhe 38 abstenime një rezolutë për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Tre janë parimet kryesore:

1.Parlamenti Europian do rrëzojë çdo marrëveshje të daljes së Britanisë së Madhe pa rrjetin e sigurisë midis Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut.

2.Mbretëria e Bashkuar do të jetë përgjegjëse e vetme për një dalje pa marrëveshje nga BE-ja.

3.Një shtyrje e afatit për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimit Europian është e mundur nëse kjo kërkohet nga Mbretëria e Bashkuar.

Komisionin Europian i ka kërkuar sërish kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, propozime konkrete, operacionale dhe me shkrim mbi rrugët alternative për të arritur një marrëveshje mbi daljen e vendit të tij nga BE-ja para 31 tetorit.

Jean Claude Juncker, President i KE: “ Nuk do habiteni të mësoni, se kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar na tha që vendi i tij dëshiron një marrëveshje për daljen nga Bashkimi Europiane. Por, sipas tij, sido që tê rrjedhin gjërat, Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Europian në 31 tetor me ose pa marrëveshje. Kjo do të thotë që rreziku për mungesën e një marrëveshjeje midis dy palëve mbetet shumë real. Kjo është ndoshta zgjedhja e qeverisë britanike, por kurrsesi e Bashkimit Europian. Ndaj, preferoj të përqëndrohem te arritja e një marrëveshje që besoj është e dëshirueshme dhe e mundshme. I kam kërkuar kryeministrit britanik propozime konkrete, operacionale dhe me shkrim mbi rrugët alternative për të arritur një marrëveshje. Derisa këto propozime nuk do të bëhen, nuk do të mund t’ju them, se janë bërë progrese”.

Debati që ka paraprirë aprovimin e kësaj rezolute në Parlamentin Europian ka qenë i dominuar nga një ironi  e pazakontë si rrjedhim i situatës politike ku gjendet Mbretëria e Bashkuar me pezullimin e punimeve të Parlamentit britanik, kur vendit i  duhet të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Europian para datës 31 tetor.

Manfred Weber, Eurodeputet:Pas referendumit të Brexit, mbështetësit e tij u shprehën: “Bashkimi Europian dështoi. Bashkimi Europian nuk funksionon. Pas 3 vjetësh, BE-ja është më e fortë, më e bashkuar dhe e di shumë mirë se ç’kërkon. Momentalisht nuk është Mbretëria e bashkuar që po largohet nga Bashkimit Europian, por janë bizneset dhe vendet e punës që po largohen nga Britania e Madhe. Shumë kanë keqardhje për rezultatin e referendumit të Brexit. Por ishte e trashë qasja e të qenurit në pikëpyetje të Bashkimin Europian, duke krijuar shumë pasiguri. Ju na ndihmuat shumë të bindim qytetarët europianë, se kjo është një qasje e trashë”.

Guy Verhofstadt, Eurodeputet: “Parlamenti britanik mund të jetë i pezulluar, por Parlamenti Europian me këtë debat po tregon, se Bashkimi Europian nuk cënon demokracinë. Zoti Farage dhe mbështetësit e Brexit po bëjnë zhurmë sot këtu, sepse ata nuk mund ta bëjnë më këtë gjë në Parlamentin britanik, kështu që duhet ta bëjnë këtu. Duhet të jetë e qartë, se ky Parlament nuk do të pranojë asnjë marrëveshje ku Mbretëria e Bashkuar mund të ketë të gjitha avantazhet e tregtisë së lirë pa tarifa doganore pa qenë në të njëjtën linjë me standardet tona sociale, ekologjike dhe shëndetësore”.

Iratxe Garcia Perez, Eurodeputete: “Shumica e forcave europiane në Parlamentin Europian po tregojnë përmes kësaj rezolute, se favorizojnë një zgjatje të afatit të nenit 50 për daljen e Mbretërisë së Bashkuar. Nëse Mbretëria e Bashkuar kërkon më shumë kohë për të zhvilluar zgjedhje të përgjithshme apo pêr një tjetër referendum, ata mund të mbështeten te ne”.

Eurodeputetë të tjerë kanë kundërshtuar fort qasjen e grupimeve të mëdha, duke u shprehur, se duhet respektuar vullneti i popullit britanik, që ka votuar në shumicën e tij për daljen e vendit nga  Bashkimi Europian dhe se Bashkimi Europian nuk duhet tê forcohet të ndryshojë rrjedhën e gjërave sa herë që nuk i pëlqen rezultati i referendumeve. /ABC News Albania 24/7