PD publikon fotot: Ndaloni arrestimin e paligjshëm të banorëve të Unazës së Re

schedule20:43 - 11 Tetor, 2019

schedule 20:43 - 11 Tetor, 2019

Partia Demokratike ka publikuar fotot, ku sipas saj me urdhër politik po ushtrohet dhunë ndaj banorëve të Unazës së Re, medias dhe përfaqësuesve të opozitës. Sipas një deklaratë të selisë blu, policia ka arrestuar në mënyrë të paligjshme dhjetëra banorë të Unazës së Re. Të pranishëm sipas PD-së kanë qenë edhe policë civilë.

“Me urdhër politik të Edi Ramës, njeriut që kishte planifikuar vjedhjen e 40 milion eurove në aferën e Unazës së Re, Policia e Shtetit po ushtron terror ndaj banorëve të Unazës së Re, medias dhe përfaqësuesve politik të opozitës. E njëjta Polici që nuk lufton krimin dhe drogën, ka mobilizuar me qindra forca me dhe pa uniformë për të arrestuar, në mënyrë të paligjshme, dhjetëra banorë të Unazës së Re, që mbrojnë shtëpitë e tyre nga shkatërrimi”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Selia blu kërkon ndalimin e dhunës shtetërore ndaj banorëve siç e quan ajo, si dhe ndalimin e arrestimeve të paligjshme.

“Banorët e Unazës së Re nuk kanë kryer asnjë krim. Ata nuk janë vrasës, trafikantë droge apo hajdutë të pasurive publike. Ata janë njerëz të lirë, që me dinjitet dhe vendosmëri ushtrojnë një të drejtë themelore – të drejtën e tubimit paqësor.

E drejta për të protestuar është themeli i një shoqërie demokratike, njohur nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Partia Demokratike paralajmëron urdhëruesit dhe ekzekutorët e aktit banditesk të arrestimit politik të qytetarëve se do të përballen me forcën e ligjit. Në burg do të përfundojë secili prej tyre që sot u heq lirinë në mënyrë antikushtetuese protestuesve të Unazës së Re”, thuhet më tej në deklaratë.

Më tej, PD thotë se përfaësuesit kanë qenë dhe do të jenë përkrah banorëve të Unazës së Re. Ndërkohë, Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë që të zbatojë ligjin dhe të vërë përpara përgjegjësisë penale çdo punonjës policie, që në vend të ligjit, respekton urdhrin politik të paligjshëm të Edi Ramës.

Edhe mbrëmjen e sotme, banorët e Unazës së Re zhvilluan një protestë. Ajo ishte paqësore, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues së opozitës./abcnews.al