Demokratët nuk do i lënë vetëm socialistët e mërzitur që kundërshtojnë këto ditë shkrirjen e bashkive që ata drejtojnë në vend.
Për këtë ata kanë marrë udhëzimin nga selia qendrore blu, që të jenë në shesh për mosaprovimin e zvogëlimit të numrit të bashkive.
Disa deputetë nuk e kanë pritur këtë udhëzim, të firmosur këtë të enjte, nga dy sekretarë, sekretari organizativ Klevis Balliu dhe sekretari për pushtetin lokal, Ylli Asllani, në të cilin thuhet se në të gjithë vendin kanë shpërthyer protestat kundër shkrirjes së bashkive.
“Të gjitha degët e PD duhet të mblidhen urgjentisht brenda kësaj jave, së bashku me këshilltarët demokratë të bashkive për të përgatitur kundërshtimin dhe për të bashkërenduar qëndrimin tonë protestues me gjithë qytetarët dhe grupet e interesit në çdo bashki.”
Drafti u ka shkuar zyrtarisht kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë për konsultime dhe udhëzimi u kërkon degëve të PD që ta marrin draftin dhe të jenë argumentues në kundërshtimin e tyre. Po ashtu, kërkohet që këshilltarët e djathtë të bashkëpunojnë me ata të PS-së.
“Ata do t’i bëjnë thirrje ndërgjegjes dhe vetëdijes së çdo këshilltari bashkiak, të përfaqësojë interesat e bashkësisë së qytetarëve që e kanë votuar dhe jo paranojës që po u shkatërron vendlindjet!”
Madje, angazhimin PD e shtrin edhe në bashkitë që nuk shkrihen, por këto të fundit duhet t’u dalin në krah kolegëve të tyre.
Prej ditës së prezantimit, në disa bashki janë duke u mbajtur protesta, si në Divjakë, që zyrtarët e saj dhe opozitarët nuk duan bashkimin me Bashkinë Lushnjë, apo në Poliçan, ku kryetari i bashkisë doli në shesh, me punonjësit, duke djegur dhe teserat e PS. Ndërsa reagimet vijojnë, kryetarët dhe këshillat bashkiakë të 15 bashkive që shkrihen, duhet të hartojnë edhe një dokument për Kuvendin dhe të arsyetojnë kundërshtimin e tyre, në konsultim edhe me qytetarët.


