Pasuesi i Gledi Micit: Shkëndija zbarkon në Superiore, zbulohet objektivi

schedule13:57 - 16 Korrik, 2020

schedule 13:57 - 16 Korrik, 2020

Shkëndija e Tetovës kërkon të gjejë pasuesin e Gledi Micit dhe sytë i kanë hedhur në Superiore. Kuqezinjtë po tentojnë të afrojnë në skuadër Emiljano Mustën, i cili ka spikatur këtë sezon me Kukësin dhe trajneri Ernest Gjoka e njeh mirë.

Abcnews.al mëson se ka pasur edhe kontakte, që në ditët në vijim do të shihen nëse do të konkretizohen. Musta prej kohësh ka bërë kërkesë që kontrata me Kukësin të mos zgjatet automatikisht edhe për sezonin e ardhshëm.

Verilindorët e kanë në plane dhe ia kanë ofruar rinovimin. Musta është ende i dyzuar, për shkak të interesit të Shkëndijës, por edhe të dy klubeve të tjera që janë të interesuara për shërbimet e tij.

 

Futbollisti nga Elbasani mbulon gjithë linjën e majtë, ndërkohë që luan edhe në mesfushë me një modul me tre në këtë repart. Në Superiore ai ka goxha eksperiencë, pasi luan prej vitit 2012 dhe ka veshur fanellat e Elbasanit, Shkumbinit, Partizanit, Teutës dhe Flamurtarit.

Te Kukësi sivjet ka luajtur 25 ndeshje në kampionat, ndërkohë që ka shënuar edhe katër gola. Tani duhet të vendosë në lidhje me të ardhmen e tij, që është mes Superiores, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. /abcnews.al