Opozita proteston para parlamentit nën moton “Rama ik”

schedule12:19 - 5 Mars, 2019

schedule 12:19 - 5 Mars, 2019

Mes tymit dhe hedhjes së shashkave, opozita ka protestuar sërish ditën e sotme para parlamentit. Në një kohë kur kuvendi i Shqipërisë në praninë e 4 deputetëve të rinj të opozitës, vijonin me rendin e ditës, në ambientet e jashtme protestuesit i kanë bërë thirrje kryeministrit Rama që të largohet.

Ata kanë djegur goma para parlamentit, ndërsa në drejtim të kordonit të policisë kanë hedhur edhe tymues e kapsolla.

Jo vetëm deputetët që kanë lënë mandatin, por dhe ata që kanë refuzuar ta marrin sipas listës shumë-emërore, kanë deklaruar se nuk ka kthim prapa, deri në rrëzimin e qeverisë. Protesta edhe sot ka nisur në të njëjtën orë me nisjen e seancës plenare, në orën 10.00 . Basha dhe Berisha lanë selinë e PD-së dhe u drejtuan protestuesve para Kuvendit. Rrugws iu bashkua edhe kryetarja e LSI-se Monika Kryemadhi.

Deputetët në parlament kanë filluar të hyjnë në kuvend që në orën 9 të mëngjesit, për të shmangur incidentet me protestuesit. Opozita i bëri ftesë edhe studentëve që t’i bashkohen protestës ashtu siç bënë edhe banorët e Astirit.

Protestuesit e opozitës kanë mbajtur fjalime në protestë. Djali i Azem Hajdarit, Kir Hajdari tha:  “Amaneti i Azem Hajdarit qëndron te ju dhe gjithë demokratët”. Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu u shpreh se duhet të çohemi çdo ditë derisa t’i japim fund regjimit që nuk ka lidhje me të ardhmen tonë europiane. Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi tha se shqiptarët duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. /abcnews.al

/abcnews.al