Një histori frymëzuese suksesi, këmbënguljeje dhe pune që kalon çdo kufi. Prof. Niko Qafoku, shqiptari që u largua nga vendi tre dekada më parë, është zgjedhur anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shtetit të Washingtonit, një nga vlerësimet më prestigjioze në botën akademike amerikane. Vetëm pak ditë më parë ai mori zyrtarisht këtë titull, ndërsa në fund të muajit do të nderohet edhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë si akademik i jashtëm.
Sot, Prof. Qafoku është një nga shkencëtarët më të vlerësuar në SHBA. Ai drejton kërkime në Pacific Northwest National Laboratory (PNNL), një nga laboratorët më të rëndësishëm të Departamentit Amerikan të Energjisë, ku zhvillohen studime të nivelit më të lartë në fushat e energjisë, mjedisit dhe sigurisë kombëtare.
Nga rreth 6 mijë punonjës, vetëm 50 shkencëtarë mbajnë gradën që ai ka arritur. Ai renditet gjithashtu mes 2% të dijetarëve me ndikimin më të madh në botë, ndërsa është përfshirë edhe mes 100 shkencëtarëve më të mirë në SHBA.
Por rruga drejt këtij suksesi nuk ka qenë aspak e lehtë. I lindur në Kamëz, ai mbaroi gjimnazin me mesatare 9.9, por nuk arriti të ndiqte menjëherë universitetin. Për tre vite iu mohua e drejta e studimit, pasi përparësi iu dha vëllait të tij. Kur ishte gati të nisej ushtar, jeta mori kthesën vendimtare: fitoi të drejtën për të studiuar Agronomi, u dallua si student ekselent dhe më pas u mbajt pedagog në universitet.
Pas ndryshimeve të viteve ’90, një bursë Fullbright i hapi dyert e Amerikës. Atje përfundoi studimet në Matematikë të Aplikuar dhe ndërtoi një karrierë që sot konsiderohet model suksesi në botën shkencore.
Grupi që ai drejton merret me kërkime për pastrimin e mjedisit nga ndotjet më të rrezikshme, duke zhvilluar studime mekanistike që synojnë zgjidhje konkrete për sfidat globale. Një shqiptar që sot është pjesë e elitës së shkencës botërore dhe që vazhdon të mbajë të forta lidhjet me vendin e tij, duke premtuar kontribut edhe për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë./abcnews.al



