“Nuk besoj se Rama është serioz,” Berisha: Reformën territoriale ta diskutojmë me deputetët e PD-së dhe partitë aleate

schedule14:02 - 5 Tetor, 2022

schedule 14:02 - 5 Tetor, 2022

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur rreth Reformës Territoriale përpara nisjes së mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së në selinë blu. Berisha sugjeroi që opozita të ulet dhe të punojë që “të dilet me një draft të PD-së që do të përfaqësojë interesat më të mira të qytetarëve shqiptarë.”

Po ashtu, kryedemokrati theksoi se ajo pjesë e PD-së që ai drejton nuk do të bëhet pjesë e “asnjë loje të qeverisë” apo pjesë e pazareve. Sipas tij, kryeministri Edi Rama nuk është serioz me çështjen e reformës.

“Në punën për reformën territoriale janë mbajtur parasysh ndryshimet e thella që ka pësuar vendi këto vite. Por janë marrë për bazë, dy projekte serioze të specialistëve shqiptarë dhe të huaj, të sponsorizuar nga qeveria e Zvicrës. Sot dëgjoj që një grup deputetësh të po kësaj partie, në mënyrë të pavarur, kanë dorëzuar një draft me 94 bashki.

Unë mendoj se ky draft i dorëzuar dhe ky që është përgatitur dhe është më i thelluar në çdo aspekt, të ulemi bashkërisht dhe të arrihet në një draft të PD-së, që të përfaqësojë interesat më të mira të qytetarëve shqiptarë.

Pra, nuk ka asnjë gjë, edhe një deputet i vetëm mund të mbështesë ligj, projekt apo reformë, kështu që ulja me ta në komisione dhe jashtë komisioneve, dhe gjetja e një ujdie për një projekt që ta mbështesin të gjithë deputetët e opozitës, duhet të diskutohet edhe me partitë aleate në parlament, duhet të diskutohet me Partinë e Lirisë, duhet të diskutohet me të gjitha partitë opozitare.

Natyrisht, ne kurrë nuk bëhemi pjesë e një loje të qeverisë dhe as të pazareve me të. Ne e kemi publik projektin. Projekti shpreh interesat më të mira. Nuk besoj se Edi Rama është serioz në çështjen e reformës. Nuk ndodh. Gënjen. Pavarësisht nga kjo, ishte në detyrimin tonë që të paraqesim një projekt më të mirin,” u shpreh Sali Berisha. /abcnews.al/