Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nufi prezanton projektbuxhetin: 76.2 miliardë lekë për mbrojtjen, rritje me 10%

schedule13:01 - 6 Nëntor, 2026

schedule 13:01 - 6 Nëntor, 2026

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi prezantoi në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2027, i cili parashikohet në masën 76 miliardë e 284 milionë lekë, me një rritje prej 7.5 miliardë lekësh, ose 10%, krahasuar me vitin 2026. Ky buxhet përfaqëson 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe synon zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.

Gjatë prezantimit, ministri Nufi theksoi se projektbuxheti është konceptuar në funksion të objektivave afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të mbrojtjes, duke lidhur drejtpërdrejt burimet financiare me kapacitetet që synohet të ndërtohen dhe nevojat konkrete operacionale të Forcave të Armatosura. Në ndarjen e fondeve, 42.8% e buxhetit, ose rreth 32.6 miliardë lekë, do të shkojnë për shpenzime korrente, ndërsa 57.2%, ose rreth 43.6 miliardë lekë, janë parashikuar për shpenzime kapitale dhe investime.

Për modernizimin e Forcave të Armatosura janë parashikuar rreth 23.1 miliardë lekë. Në këtë paketë përfshihen blerja e armatimit të lehtë dhe dronëve, avionëve krahëfiks, zhvillimi i sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore, ndërtimi i sistemit kundër dronëve (Counter-UAS), si dhe investimet në sistemin e mbrojtjes ajrore. Gjithashtu, do të vijojë modernizimi i mjeteve të transportit dhe sistemeve të komunikimit e informacionit në bazën e NATO-s në Kuçovë.



Një tjetër drejtim i rëndësishëm i investimeve është infrastruktura ushtarake, për të cilën janë parashikuar rreth 5.9 miliardë lekë. Projektet përfshijnë ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse për Korridorin VIII, hangarët e Shkollës së Aviacionit, rikonstruksionin e Spitalit Ushtarak, ndërtimin e strukturës akomoduese në Akademinë e Forcave të Armatosura, ndërtimin e pjesës ushtarake të portit të ri në Porto Romano dhe rivitalizimin e Bazës së Pashalimanit. Në këtë paketë përfshihen edhe investime për emergjencat civile dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

Përmes këtij projektbuxheti, Ministria e Mbrojtjes synon gjithashtu të vijojë reformat e nisura dhe të përmbushë detyrat kushtetuese të Forcave të Armatosura, angazhimet ndërkombëtare në NATO, bashkëpunimin në kuadër rajonal, si dhe zhvillimin e aftësive trajnuese të tyre. Në këtë drejtim, prioritet do të jetë zhvillimi i kapaciteteve në përputhje me Planin Afatgjatë të Zhvillimit, vijimi i pajisjes së Forcave Tokësore me armatim të ri, të ndërveprueshëm me aleatët e NATO-s, zgjerimi i investimeve në infrastrukturë dhe modernizimi i pajisjeve e sistemeve kompjuterike.

Një tjetër objektiv është rritja e nivelit të angazhimit të Forcave të Armatosura në operacionet e NATO-s, si dhe pjesëmarrja në misionet dhe iniciativat e reja të Aleancës. Paralelisht, do të vijojë zhvillimi dhe mbajtja në gatishmëri e kapaciteteve për operacionet e mbrojtjes kombëtare dhe kolektive, reagimin ndaj krizave dhe përballimin e emergjencave civile, përfshirë dhënien e ndihmës vendeve të rajonit në kuadër të NATO-s, OKB-së dhe Bashkimit Evropian.

Në fokus të projektbuxhetit është edhe personeli ushtarak, përmes politikave që synojnë promovimin në karrierë, përmirësimin e trajtimit të ushtarakëve dhe lartësimin e figurës e integritetit të tyre. Rritja e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit në Forcat e Armatosura, janë gjithashtu pjesë e objektivave të përcaktuara.
Ministri Nufi nënvizoi se Shqipëria vijon të përmbushë angazhimet ndaj aleatëve, në përputhje me zotimet e Samitit të Hagës dhe të Ankarasë, duke përshtatur investimet në mbrojtje me sfidat dhe kërcënimet e sigurisë në kontinentin evropian.

Financimi për Mbrojtjen parashikohet të vijojë të rritet edhe gjatë tre viteve të ardhshme, me afërsisht 1 miliard lekë në vit. Projektbuxheti 2027 synon të garantojë funksionimin e qëndrueshëm të Forcave të Armatosura dhe të mbështesë transformimin e tyre përmes investimeve strategjike, rritjes së gatishmërisë operacionale dhe përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!