Nis shqyrtimi për Llallën, KPA pranon dy prova

schedule13:48 - 31 Maj, 2018

schedule 13:48 - 31 Maj, 2018

Komisioneri Publik i kërkoi të enjten Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të prishë vendimin që shpëtoi nga vettingu ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Ish-Prokurori i Përgjithshëm përfaqësohej nga avokati në proces, të cilit i kishte lëshuar një prokurë nga Turqia në 28 maj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi të enjten shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit që ndërpreu procesin e vettingut për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Trupi gjykues pranoi prokurën e lëshuar nga Llalla para një noteri në Stamboll, Turqi. Përmes saj i jepeshin të gjitha tagrat e përfaqësimit avokatit të tij Sokol Hazizaj.  Prokura e nënshkruar nga ish-kryeprokurori në 28 maj ishte në shqip dhe turqisht dhe legalizuar përmes vules apostile.

Më tej Komisioneri Publik, institucioni që përfaqëson interesat e publikut në procesin e vettingut, kërkoi prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të datës 16 shkurt që ndërpreru procesin e rivlerësimit për Llallën, pasi ai dha dorëheqjen nga sistemi.

Sipas Komisionerit, ish-kryeprokurori duhet t’i nënshtrohet vettingut, pasi atij nuk i ka përfunduar mandati i gjyqtarit, apo prokurorit. Komisioneri tha se Llalla nuk duhet të dorezonte dorëheqjen tek Presidenti i Republikës, siç ai bëri në 10 shkurt 2018.

Pas ndryshimeve kushtetuese, tha Komisioneri, magjistrati mund të japë dorëheqjen tek Keshilli i Lartë Gjyqsor, apo tek Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Meqë këto dy institucione nuk janë formuar, bazuar në dispozita ligjore tranzitore, funksionin e tyre e kryen Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm, por Llalla nuk i është drejtuar asnjërit prej tyre.

Kundër këtij interpretimi ishte avokati Hazizaj. Ai theksoi se klienti i tij ka zbatuar procedurën ligjore të kërkuar dhe po ashtu edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që vendosi t’i ndërpresë vettingun.

Hazizaj paraqiti si prove aktin e heqjes dorë nga detyra e prokurorit prej Llallës në vitin 2008 para se të emërohej në pozicionin e drejtuesit të ILDKP-së dhe aktin e largimit nga detyra e kryeprokurorit në dhjetor 2017 kur u zëvendësua nga Arta Marku.

Për t’i dhënë kohë palëve për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare Kolegji shtyu seancën për në 6 qershor.