Një ditë e zakonshme pune u kthye në momentin që i ndryshoi përgjithmonë jetën. Alfred Hila, 43-vjeçari nga Shkodra që prej 28 vitesh jeton në Sicili, doli nga puna atë pasdite pa e ditur se pak çaste më vonë do të përballej me sfidën më të madhe të jetës së tij.
Më 19 maj, teksa po shkonte të merrte makinën, pa disa punëtorë që po çmontonin skelat e një godine. Një britmë e bëri të ngrinte kokën, por në atë çast një hekur i rëndë e goditi drejtpërdrejt në kokë. Nga ai moment nuk mban mend asgjë. Për të nisën muajt më të vështirë, ndërsa familjarët dhe të afërmit prisnin një lajm nga spitali.
Alfredi qëndroi në koma nga 19 maji deri më 28 gusht. Edhe ditëlindjen e festoi pa vetëdije, në shtratin e spitalit. Mjekët i kishin thënë se do t’i duhej të paktën një vit për t’u rikuperuar, por vullneti dhe këmbëngulja e tij sollën një kthesë të jashtëzakonshme. Ana e majtë e trupit ishte e paralizuar, megjithatë, pas vetëm një muaji stërvitje, ai arriti të ngrihej sërish në këmbë.
Aksidenti i la pasoja të rënda: humbi syrin dhe hundën, pësoi dëmtime në kockat e fytyrës dhe në tru. Përpara ka ende disa ndërhyrje kirurgjikale, një proces që pritet të zgjasë rreth pesë muaj. Katër operacione do të mbulohen nga siguracioni, ndërsa ndërhyrjen në sy duhet ta përballojë vetë.
Por përtej betejës fizike, Alfred Hila ka edhe një kërkesë urgjente: të gjejë një vend ku të qëndrojë gjatë muajve të trajtimit. Ai falënderon shqiptarët që i janë gjendur pranë dhe kanë kontribuar në fushatën e mbledhjes së fondeve. Ndërkohë, pret edhe dëmshpërblimin nga kompania përgjegjëse për aksidentin, duke premtuar se, nëse e përfiton, paratë e mbledhura nga shqiptarët do t’i dhurojë për bamirësi në Shqipëri.
Historia e tij ka edhe kapituj të tjerë të vështirë. Nga emigrimi me gomone drejt Italisë, te vitet e para të jetës në një familje italiane, përdorimi i drogës dhe përballja me drejtësinë, Alfredi tregon pa e fshehur të shkuarën e tij. Ai pranon përgjegjësinë për zgjedhjet që ka bërë dhe rrëfen se si arriti ta linte drogën. Sot, mes operacioneve që e presin dhe pasojave të aksidentit, ai kërkon një mundësi të dytë. Një histori mbijetese, pendese dhe shprese, ku beteja më e madhe nuk është vetëm të rikthejë pamjen.


