Ndihmon të sëmurët rëndë me Covid-19, OBSH: Kërkesa për ‘dexamethasone’ arrin majat

schedule20:01 - 22 Qershor, 2020

schedule 20:01 - 22 Qershor, 2020

Kërkesa botërore për steroidin me emrin dexamethasone është rritur që prej se një studim i realizuar në Britaninë e Madhe zbuloi se mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të vdekjes mes pacientëve me korona.

“Kërkesa  ka nisur që të rritet pas studimit që tregoi benefitet e dexamethasone,” u shpreh drejtuesi i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus  nga Gjeneva ditën e sotme.

Kur rezultatet e studimit paraprak u njoftuan javën e kaluar, OBSH deklaroi që i mirëpresin rezultatet e testeve klinike. Zbulimet në fjalë janë ende duke u përpiluar dhe ende nuk janë botuar.

“Megjithëse të dhënat janë ende paraprake, konstatimi i fundit se steroidi deksametazon ofron mundësi të shpëtimit të jetës për pacientët me sëmundje të rëndë Covid-19 na dha një arsye shumë të nevojshme për të festuar,” tha Tedros.

“Sfida e radhës është që të rrisim prodhimin që të mund ta shpërndajmë në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë të barabartë, duke u fokusuar aty ku nevojitet më shumë,” shtoi kreu i OBSH.

“Për fat të mirë ky është një medikament jo i shtrenjtë dhe gjenden shumë prodhues të tij në të gjithë botën, për të cilët ne kemi besim se mund ta përshpejtojnë prodhimin.”

Tedros u shpreh se ndërsa medikamenti tregon benefite tek të sëmurit rëndë me Covid-19, te ata me simptoma të lehta nuk është parë asnjë ndikim. /abcnews.al/