Një operacion i gjerë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka tronditur Policinë e Sarandës, ku deri tani kanë përfunduar në pranga pothuajse të gjithë drejtuesit kryesorë të komisariatit, ndërsa burime bëjnë me dije se arrestimet kanë vijuar edhe gjatë orëve të mbrëmjes.
Mes të arrestuarve është edhe shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, si dhe dy specialistë policie. Hetimet lidhen me dyshimet për përfshirje, favorizim apo tolerim të ndërtimeve pa leje në zonat më të lakmuara turistike të jugut, kryesisht në Sarandë dhe Ksamil.
Policia ka shoqëruar edhe një oficer të policisë së Sarandës. Ndërkaq, në kërkim shefi i krimeve Sarandë, Blerim Tafciu.
Operacioni i AMP-së nisi të premten në Sarandë, Ksamil dhe zonat përreth, pas informacioneve dhe verifikimeve mbi disa raste të fundit të ndërtimeve të paligjshme përgjatë vijës bregdetare.
Sipas burimeve paraprake, hetuesit dyshojnë se efektivë të policisë kanë pasur rol aktiv në lejimin e këtyre ndërtimeve ose nuk kanë ushtruar kontrollin dhe procedurat ligjore për ndalimin e tyre.
Vetëm një ditë më parë, Policia e Sarandës arrestoi 8 persona të kapur duke kryer ndërtime pa leje pranë bregdetit, ndërsa në kërkim u shpall edhe pronarja e truallit ku po zhvilloheshin punimet.
Ndërkohë, pritet që AMP të dalë me një njoftim zyrtar për numrin total të të arrestuarve dhe akuzat konkrete ndaj efektivëve të përfshirë./abcnews.al


