Mjekët e Durrësit protestë për shpërblimin e COVID-it: E morën vetëm “të preferuarit”

schedule09:27 - 20 Maj, 2020

schedule 09:27 - 20 Maj, 2020

Përfaqësues dhe mjekë të repartit të epidemiologjisë në qytetin e Durrësit kanë protestuar ditën e sotme pasi nuk kanë marrë shpërblimin e premtuar të qeverisë për mjekët e vijës së parë në përballjen me Covid-19.

Ata kërkojnë që qeveria të mbajë premtimin për shpërblimin por edhe pagesën për punën e kryer të shtunave dhe të dielave, ditë për të cilat kanë punuar gjatë 3 muajve të fundit.

Kryetari i Konfederatës së mjekëve në qytetin e Durrësit, Zija Alhysa  tha për ABC News se urdhrat e ministres dhe të qeverisë nuk zbatohen për më tepër nga ana e drejtuesve të drejtorisë së Spitalit të Durrësit ka përgjigje me arrogancë dhe nuk ka transparencë.

“Kemi urdhrin e ministres dhe të qeverisë të cilat nuk zbatohen fare. Deri tan i asnjë person nuk ka marrë asnjë shpërblim të premtuar. Kemi bërë nga 60 orë në javë dhe asgjë s’kemi marrë. Ky është muaji i tretë që punojmë në këtë situatë, dhe kanë marrë vetëm miqtë e drejtoreshës. Ne kishim lajmëruar për protestë por personeli ka frikë dhe kanë presion se i pushojnë nga puna. Edhe shefi i epidemiologjisë nuk ka dalë këtu se i bëjnë presion. Ne kemi lënë afat për 3 ditë që të na japin përgjigje dhe më pas do ndërpresim punën, nuk kemi ku shkojmë tjetër”, tha Alhysa.

Duket sikur qeveria e ka alokuar fondin por po keqmenaxhohet nga institucionet. Duke akuzuar drejtoreshën e spitalit znj. Aurora Hyka, Alhysa tha se është ç’organizuar puna.

“Kemi kërkuar transparencë dhe na janë përgjigjur me arrogancë dhe mospërfillje. Unë e di detyrën time, kur ka situatë epidemie dhe vatra infeksioni duhet të jemi në krye edhe pa qenë drejtoresha fare por drejtoresha e ka ç’organizuar punën” deklaroi ai./abcnews.al