Ministrja Xhaçka vizitë në Turqi, mbështetje për trajnim e arsim

schedule11:42 - 26 Janar, 2018

schedule 11:42 - 26 Janar, 2018

Shqipëria dhe Turqia do të bashkëpunojnë në industrinë ushtarake dhe atë të mbrojtjes. Konfirmimin Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e mori gjatë takimit që zhvilloi me homologun e saj turk Nurettin Canikli në vizitën dy ditore që zhvilloi në Ankara.

Me truprojë nderi dhe ceremoni ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë është pritur Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka nga homologu i saj në Turqi.

Në vizitën e saj dy ditore veç marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve,me ministrin e mbrojtjes kombëtare të Republikës së Turqisë Nurettin Canikli u diskutua edhe për bashkëpunim dypalësh në industrinë ushtarake dhe të mbrojtjes.

“Diskutuam lidhur me bashkëpunimin aktual ushtarak për trajnim, arsimimin e përbashkët. U dakordësuam për mundësitë e shumta, të cilat do eksplorojmë dhe mora mbështetjen maksimale nga kolegu im Canikli për plotësimin e çdo kërkese nga Shqipëria. Edhe për modernizimin e FA gjeta mbështetjen maksimale për çdo projekt, i cili do të gjykohet i nevojshëm për t’u zhvilluar . Me homologun turk pata veçse dakordësi për të zhvilluar kapacitet ushtarake. Trajtimi mjekësor i personelit ushtarak në Turqi do të vazhdojë dhe do të shtohet për të plotësuar të gjitha nevojat shëndetësore mjekësore, të cilat nuk i përmbushim dot në Tiranë.”-

Ministrja Xhaçka, takoi edhe studentët shqiptarë që studiojnë në akademitë ushtarake turke. Ajo u shprehu rolin dhe rëndësinë e tyre brenda Forcave të Armatosura, sapo ata të përfundojnë studimet.

”U konfirmova studentëve tanë që shkollohen në akademitë ushtarake turke që, do të vazhdojnë të jenë ndër shembujt e mirë të disiplinës dhe profesionalizmit dhe presim prej tyre që të vijnë dhe të bëhen pjesë solide e piramidës sonë ushtarake.”

Në vijim të vizitës së saj, ministrja Xhaçka vizitoi disa fabrika të industrisë ushtarake dhe u njoh nga afër me mjetet, pajisjet dhe armatimet që prodhohen aty.

Gjithashtu ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë u prit në takime të veçanta nga ministri i Brendshëm i Turqisë z. Süleyman Soylu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura turke, gjeneral me katër yje Hulusi Akar.

Pjesë e vizitës zyrtare të ministres Xhaçka, ishin edhe homazhet dhe vendosja e një kurore me lule në Anıtkabir, Mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürk./abcnews.al